Kosova nuk është pranuar si shtet në Frankofoni sipas ministrit të punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Dacic, sipas të cilit në këtë organizatë pranohen edhe regjionet.
“Statusin e anëtarit të asociuar praktikisht e fitojnë të gjithë ata të cilët shprehin një dëshirë të tillë, edhe shtetet edhe regjionet. Me rastin e kërkesës së Kosovës, 13 vende anëtare të përhershme kanë paraqitur një deklaratë, me të cilën thuhet se pse Kosova e ka fituar statusin e anëtarit të asociuar nukdo të thotë se e njohin Kosovën si shtet dhe se qëndtrimi i tyre për Kosovën mbetet i pandryshuar”, ka thënë Dacic sipas medieve serbe.
Dacic ka thënë se edhe këtë tubim e ka shfrytëzuar për takime bilaterale me një varg temash, ndër to edhe ajo e Kosovës, transmeton gazetametro.net.
“Kemi mirëkuptim të madh nga ato shtete për pozicionin e Serbisë. Duke pasur parasysh se një numër i madh syresh në periudhën prej 10 vitesh e kanë njohur Kosovën, me to bisedojmë që ta tërheqin njohjen dhe bisedimet janë shumë të suskseshme”, ka thënë Dacic, i cili pret që numri i shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën të bjerë nën njëqind.
Sot, siç kanë njoftuar mediet tona, Kosova është pranuar me statusin e anëtarit të asocuar në këtë organizatë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ky është lajmi i mirë i radhës për Kosovën.
“Lajmi i mirë i radhës për Kosovën vjen nga Armenia. Nga vëzhguese, Kosova u bë anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. U jemi mirënjohës shteteve anëtare për afirmimin e Kosovës në familjen frankofone dhe për mbështetjen e vazhdueshme të tyre”, ka thënë Thaçi./gazetametro.net