Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka ngritur apel ndaj Qeverisë që urgjentisht të ndërmarrë masa për përballimin e inflacionit, duke propozuar uljen ose largimin e përkohshëm të akcizës apo Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për derivatet, transmeton Gazeta Metro.
Rafuna ka kërkuar që masat të synojnë veçanërisht sektorin e bujqësisë dhe atë të transportit.
“Ne kemi ngritë zërin dhe kemi bërë një kërkesë publike, por edhe kërkesë me shkrim te Qeveria e Republikës së Kosovës që me ulë tatimin e akcizës apo tatimin e vlerës së shtuar, me ulë apo me largu për një kohë të caktume (për derivatet e naftës dhe benzinës) e që me iu ndihmu qytetarëve të Republikës së Kosovës, por me theks, me iu ndihmu dy sektorëve, sektorit të bujqësisë, për shkak se ka qenë koha e pranverës dhe koha e mbjelljeve të produkteve bujqësore. Po ashtu edhe sektorit të transportit, qoftë udhëtarëve apo transportit të mallrave, për shkak se janë sektorë që ndikojnë drejtpërdrejt në inflacion ose në ngritjen e çmimeve që më pas reflektojnë edhe te ulja e standardit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se OEK-u po i përcjell me shqetësim të dhënat për inflacionin, duke theksuar se rritja nga 5.3 për qind në fillim të vitit në 7.2 për qind paraqet shqetësim./gazetametro.net