INDEP në bashkëpunim me kolegjin “Universum” kanë mbajtur një tryezë lidhur me konsumimin e produkteve vendore.
Aty është prezantuar hulumtimi i kryer nga INDEP në bashkëpunim me studentët e kolegjit Universum.
Në komunikatën e dërguar për media u bë e ditur se qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë njoftimi i opinionit të gjerë se si qëndrojmë në aspektin e konsumimit të produkteve vendore dhe apo konsumojmë mjaftueshëm.
Alejtin Berisha, drejtor ekzekutiv i kolegjit “Universum” tha se lokomotiva e zhvillimit ekonomik është sektori privat dhe se ata si kolegj e mbështesin vazhdimisht sepse e mira, sipas tij, nuk vije nga qielli, por nga fuqizimi i sektorit privat që çon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndërsa tryezës iu drejtua edhe Visar Kelmendi, kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, ai tha se atyre u mungon mbështetja nga Qeveria.
“Ne nuk kemi pasur asnjë mbështetje reale nga Qeveria por vetëm deklarative. Duhet kuptuar që pa fuqizim të prodhuesit vendor nuk ka zhvillim dhe po shihet që s’mundemi me ecë përpara. Obligim i Qeverisë ka qenë që para se ta nënshkruajnë MSA-në me i evidentu kapacitetet e veta me na fuqizu me të gjitha kapacitetet e mundshme që të përgatitemi për një fuqi konkurruese me tregun evropian,”tha Kelmendi.
Sipas të gjeturave të këtij hulumtimi del se 94% të të anketuarve janë deklaruar se konsumojnë produkte vendore; por vetëm 7.3% e tyre janë deklaruar që pjesëmarrja e produkteve vendore në shporten e produkteve të konsumuar në baza mujore është mbi 70%./gazetametro.net