Deputeti tashmë i pavarur në Kuvendin e Kosovës Ilir Deda, ka shtruar disa pyetje në profilin e tij në rrjetin social Facebook për kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa.
Thotë që këto pyetje janë në vend të interpelancës me kryeministrin Isa Mustafa, për situatën në pjesën veriore të vendit.
Këto janë katër pyetjet që Deda i ka parashtruar në Facebook:
- A ka fond Qeveria për të parandaluar spastrimin e heshtur entik që po ndodhë në veriun e Mitrovicës ku po blihen pronat e shqiptarëve nga ana e Qeverisë së Serbisë?
- A do të funksionalizohet Bordi i përbashkët qeverisës i komunave Mitrovica Jugore dhe Veriore, siç parashihet me ligjet e Kosovës, gjatë mandatit qeverisës së Kryeministrit?
- A do ta fillojë procesin e ndërtimit të konsenzusit politik për procesin e dialogut të Brukselit, siç kërkojnë edhe 53% e qytetarëve të Kosovës?
- Duke e parë vendosmërinë e Qeverisë që të procedojë me funksionalizimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, a do të draftohet Statuti njëanshëm apo me gjithpërfshirje të gjitha subjekteve politike – duke e ditur që mungesa e gjithpërfshirjes edhe na solli në krizë politike?