Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shprehu shqetësim pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se ky veprim mund të ndikojë në respektimin e afateve kushtetuese për funksionalizimin e institucionit më të lartë përfaqësues, transmeton Gazeta Metro.
Sipas IKD-së, kërkesa e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike lidhur me presidentin, nuk mund të shërbejë si bazë për pezullimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Instituti theksoi se bisedimet politike duhet të zhvillohen jashtë procedurave të seancës konstituive dhe nuk mund të shndërrohen në kusht për përfundimin e këtij procesi.
“Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të shndërrohet në arsye për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues. Kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare dhe vendimi i kryesuesit Avni Dehari për ndërprerjen e seancës nuk kanë mbështetje në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive. Sipas nenit 9, paragrafit 3, të Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Rrjedhimisht, kjo seancë nuk mund të përdoret për diskutime politike, kërkesa jashtë rendit të përcaktuar apo kushtëzimin e konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera”, thuhet në njoftim.
IKD rikujtoi se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar detyrimin që Kuvendi të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.
“Ky nuk është afat orientues dhe as çështje e vullnetit politik, por detyrim kushtetues që duhet respektuar nga secili deputet dhe nga organet që drejtojnë seancën. Fakti se Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës nuk kanë përcaktuar shprehimisht pasojën juridike për moskonstituimin brenda afatit nuk krijon leje për shkeljen e tij”, thuhet tutje në njoftim.
Instituti kërkoi që seanca të vazhdojë pa vonesa dhe që Kuvendi të përmbyllë procesin e tij të konstituimit brenda afatit të paraparë, pa e lidhur këtë me zhvillime të tjera politike./gazetametro.net