Në ri-hapjen e gjykimit për vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi, u dëgjua i akuzuari Vesel Gjinovci i cili e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e rreshterit gjatë shqyrtimit fillestar.
Por pas fjalës përfundimtare, gjykata ka vendosur që ta hapë përsëri shqyrtimin gjyqësor pasi që, sipas kryetares së trupit gjykues Valbona Selimi, në fjalën përfundimtare të të akuzuarit Vesel Gjinovci trupi gjykues ka vërejtur se janë paraqitur disa paqartësi, shkruan KALLXO.com
Në lidhje me këto paqartësi trupi gjykues kishte vendosur që të revokohet aktvendimi mbi pranimin e fajësisë së të akuzuarit Vesel Gjinovci.
“Trupi gjykues merr aktvendim (që të) revokohet aktvendimi mbi pranimin e fajësisë për të akuzuarin Vesel Gjinovci, dhe i njëjti do të ftohet për t’u dëgjuar para trupit gjykues duke ua dhënë mundësinë edhe palëve të tjera në parashtrimin e pyetjeve në mbrojtjen e tij. Aktvendimi i cili është marrë nga ana e gjykatës është aktvendim procedural ndaj të cilit palët kanë të drejtë ankese së bashku me vendimin përfundimtar të gjykatës-aktgjykimin”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues.
Ndonëse pati reagime nga avokatët e të akuzuarve të cilët këtë vendim të marrë nga gjykata e konsideruan në kundërshtim me dispozitat ligjore, trupi gjykues vazhdoi me dëgjimin e të akuzuarit.
Rreshteri Shemsi Gashi u vra mëngjesin e 25 marsit 2015 rrugës për në zyrën e tij.
Hetimet e Prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.