Loading…

‘I kam kryer 27 operacione, kam nevojë edhe për një’: Gucati jep dëshminë në Hagë

  • 06/12/2021 | 13:56

‘I kam kryer 27 operacione, kam nevojë edhe për një’: Gucati jep dëshminë në Hagë

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ka folur në Dhomat e Specializuara në Hagë për luftën në Kosovë dhe vrasjet e kryera nga forcat serb. Derisa u është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtjes, Gucati ka folur edhe për gjendjen e tij shëndetësore duke theksuar se ka nevojë që të kryejë edhe një operacion në këmbë, pas 27 të tillë të kryer deri tani.


I akuzuari Hysni Gucati në ditën e parë të dëshmisë së tij para trupit gjykues ka përmendur ofensivën e 3 gushtit të vitit 1998 për të cilën ka thënë se forcat serbe kanë sulmuar disa fshatra, në mesin e tyre edhe Morinën.

“Fshati është djegur më 3 gusht të vitit 1998, atë ditë ka qenë një ofensivë shumë e madhe e forcave serbe paramilitare çetnike të cilat sulmuan fshatin Morinë, Rezallë, Makërmal, Kryshec, deri në Likoc”, ka thënë ai.

Gucati ka thënë se në UÇK është kyçur në vitin 1997 dhe ka marrë pjesë në ofensivën e 3 gushtit të vitit ’98.

“Kemi pasur humbje, është vrarë dëshmori i kombit Zenel Mziu, një koleg i imi, ka qenë student i vitit të fundit të fakultetit, është vrarë një qytetare e Morinës Hajrije Mziu shumë e moshuar, e paralizuar ka qenë në krevat i është prerë koka me sopatë, kjo është e vërtetë që e kam parë me sytë e mi, dhe Zenelin e kam tërheqë me duart e mija kështu që në fshatin Morinë janë të vrarë gjithsej 13% të qytetarëve, 39 të vrarë, 19 të zhdukur, ndër të zhdukurit e kam edhe djali ne xhaxhait të babait, Halim Gucati”, ka thënë ai.

Ish-pjesëtari i UÇK-së ka thënë se është plagosur më 2 qershor të vitit 1999 dhe vazhdon t’i vuajë pasojat e atij lëndimi.

“Unë jam plagosur më 2 qershor në ofensivën e fundit në vitin 1999 në Malet e Berishës të vendit të vuajtur ‘Guri i Vogël, mbi Llapushnik. Unë jam i plagosur në këmbën e djathtë, dhe i kam 27 operacione gjithsej. Unë kisha edhe vitin e kaluar të bëjë një operacion të ndërhyj por nuk e pata fatin dhe se erdha këtu në paraburgim në Holandë”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se aktualisht bënë kontrolle mjekësore në spitalin e Holandës dhe ka nevojë edhe për një operacion.

Pjesa e parë e pyetjeve të avokatit mbrojtjes është zhvilluar rreth jetës së Gucatit, familjes, UÇK-së dhe punës së tij.

“Shtëpinë e që e ka ndërtuar babai im është djegur gjatë luftës, siç është djegur i gjithë fshati, në vitin 1998 më 3 gusht ’98 është djegur shtëpia imë dhe tërë fshati Morinë”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se babai dhe familjarë të tij janë maltretuar nga forcat serbe nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

Dëshmia e Gucatit po vazhdon me pyetjet për ngjarjet e shtatorit të vitit 2020 ku në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ishin dërguar dokumente për të cilat dyshohet se kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë