Loading…

I dërguari special i Trump pas Prishtinës, sot në Beograd: A është këtu për idenë e shkëmbimit të territoreve?

  • 10/09/2018 | 11:08

I dërguari special i Trump pas Prishtinës, sot në Beograd: A është këtu për idenë e shkëmbimit të territoreve?

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në fazën finale të dialogut i cili pretendohet të mbyllet me pranim të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, edhe nëse ai pranim do të ishte i heshtur dhe pa njohje formale. Për t’u arritur kjo, tani si mundësi konkrete po konsiderohet shkëmbimi i territoreve në mes të dy shteteve.

Kjo ide, e cila fillimisht është përmendur nga presidenti kosovar Hashim Thaçi, nuk po kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat duket se edhe po i japin përkrahje, shkruan gazetametro.net.

Dje në Prishtinë ishte senatori amerikan Ron Johnson, ku takoi në takime të ndara presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj. Pas Prishtinës, Johnson sot do të qëndrojë në Beograd.

Pas këtij takimi, presidenti Thaçi tha se me senatorin amerikan kanë biseduar për dialogun Kosovë – Serbi, ku sipas tij po punohet të arrihet një marrëveshje përfundimtare, që do të jetë në interes të Kosovës, rajonit, SHBA-së dhe BE-së. E si mundësi për marrëveshje përfundimtare, presidenti Thaçi po e konsideron shkëmbimin e territoreve, që ai po i referohet si korrigjim të kufirit me Serbinë.

Pas takimit me senatorin Johnson ka folur edhe kryeministri Haradinaj. Ky që deri tani është deklaruar kategorikisht kundër prekjes së kufijve, duke kërcënuar edhe me luftë, nuk tha diçka konkrete nëse është kudër apo pro marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, edhe me variantin e një marrëveshje me lëvizje të kufijve.

Haradinaj tha se me senatorin amerikan kanë folur për situatën në vend e rajon, dhe se Kosova, si faktor paqeje e stabiliteti dhe e angazhuar për fqinjësi të mirë, është jetësisht e interesuar ta arrijë në afat optimal marrëveshjen ligjërisht obligative me shtetin serb. Haradinaj ka përmendur edhe njohjen reciproke e cila sipas tij zhbllokon rrugën euro-atlantike të Kosovës që është në funksion të paqes e stabilitetit të qëndrueshëm në rajon.

Gjithashtu ai nuk ka harruar të theksojë se Kosova është e bekuar që ka përkrah ShBA-në dhe sipas tij miqësinë e përhershme me të do ta ruajë e kultivojë si vlerën më të madhe.

Ndërsa senatori Ron Johnson tha se SHBA mbështet “të gjitha përpjekjet për një paqe të qëndrueshme në rajon”. Ky qëndrim i SHBA’së, ku po thuhet se mbështesin të gjitha përpjekjet po shihet si mbështetje edhe për një marrëveshje përfundimtare me variantin e ndryshimit të kufijve, gjë të cilën deri vonë i gjithë Perëndimi bashkë me SHBA’të e kishin kundërshtuar kategorikisht.

Ron Johnson në Serbi do të qëndrojë sot dhe nesër, dhe ai pritet të përcjellë mesazhin e mbështetjes së Donald Tramp për marrëveshjen e Beogradit dhe Prishtinës.

Johnson, i cili është një nga bashkëpunëtorët më të vlefshëm të Tramp, do të shkojë edhe në Greqi dhe Maqedoni, të cilat janë gjithashtu përpara zgjidhjes së konfliktit të gjatë prej dekadash rreth emrit të Maqedonisë, për të cilin më 30 shtator maqedonasit do të votojnë në referendum.

Me referendum mund të ndodhë të ratifikohet edhe marrëveshja eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim të territoreve. Kështu të paktën ka thënë presidenti Hashim Thaçi, pas lansimit të idesë së tij ‘për korrigjim të kufirit’ me Serbinë. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë