Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka qenë mysafir në shtëpinë e të dërguarit special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, transmeton Gazeta Metro.
Më anë të një postimi në Facebook kreu i LDK’së ka thënë se e ka falënderuar Sarrazin për të gjithë përkrahjen gjermane ndaj Republikës së Kosovës.
”Në Hamburg, në shtëpinë e Manuel Sarrazin, të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor. E falenderova për gjithë përkrahjen gjermane ndaj Republikës së Kosovës,” ka shkruar Abdixhiku.
Sot LDK’ja njoftoi gjithashtu se Abdixhiku është takuar me eurodeputetin Lukas Mandl dhe anëtarët e Misionit përcjellës të zgjedhjeve të BE’së (EFM) në Kosovë ku dhe kanë biseduar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për katër komunat në veri të vendit.
”Po ashtu u diskutua për reformën zgjedhore, me ç’rast kryetari Abdixhiku shprehu gatishmërinë e LDK-së për të dhënë kontributin e saj gjatë këtij procesi. Përfshirja e grave dhe të rinjve si dhe avancimi i rolit të tyre brenda LDK-së dhe përtej ishte edhe një prej temave me interes gjatë këtij takimi,” thuhej në postimin e LDK’së. /gazetametro.net