Loading…

I dërguari i Gjermanisë për BP: Prishtina e di se Asociacioni duhet të diskutohet

  • 07/12/2022 | 23:06

I dërguari i Gjermanisë për BP: Prishtina e di se Asociacioni duhet të diskutohet

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha sot në Bruksel se Prishtina e di se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të diskutohet.


“Për këtë është rënë dakord në vitin 2013 në Marrëveshjen e Brukselit dhe mendoj se, për Prishtinën, është e qartë se ky diskutim duhet të bëhet”, tha Sarrazin për Tanjug, transmeton Euronews.

Sa i përket situatës aktuale në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, emisari Sarrazin, i cili mori pjesë në panel diskutimi në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Bruksel, thotë se situata është e tensionuar.

“Ne kemi një situatë shumë të tensionuar në dialog, veçanërisht për Mitrovicën e Veriut. Natyrisht, ne duam që situata të jetë stabile dhe e sigurt. Kjo do të thotë se duhet bërë gjithçka nga të dyja palët, që të jenë fleksibil e të mos ketë përshkallëzimi”, tha i dërguari gjerman.

Kujtojmë se, kur u deklarua për herë të fundit, kryeministri Albin Kurti tha se do të ketë konsideratë edhe për Asociacionin.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe unë nuk kam përgjigje të re. Por, natyrisht që në Kapitullin 4 të Kornizës së Marrëveshjes së Përgjithshme që e kam prezantuar në Bruksel më 18 gusht, unë edhe aty kam thënë që do të ketë konsideratë për të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe implementimin e tyre”, ka deklaruar Kurti.

“Nuk ka dyshime për propozimin [për ‘marrëveshjen e madhe’], ai është propozim evropian”

Duke folur për përmbajtjen e propozimit të përditësuar evropian për arritjen e një marrëveshjeje në dialogun Kosovë-Serbi, propozim ky i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, dhe të cilin kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha të martën në Tiranë se i është dërguar Prishtinës dhe Beogradit, Sarrazin përsëriti se është e rëndësishme të eliminohen dyshimet mbi autorësinë e tij.

“Është një propozim evropian. Kjo është e qartë që në fillim. Është paraqitur për herë të parë nga Miroslav Lajçak në emër të BE-së, së bashku me këshilltarët e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz. Për të pasur një pozicion të fortë në Bruksel, duhet ditur se bëhet fjalë për një propozim evropian”, tha Sarrazin.

Emisari gjerman po ashtu shtoi se “është shumë e rëndësishme që situata aktuale të zgjidhet dhe pala serbe të kthehet në institucione dhe të ofrojë shërbime për qytetarët e veriut.”

Ai ka theksuar se çështja e kthimit të serbëve në institucione, megjithatë, nuk duhet të jetë arsyetim për ta ndërprerë dialogun.

“Kjo nuk i pengon diskutimet për tema të tjera,” theksoi Sarrazin.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë