Takimet e shumta dhe koordinimi i mirë i Policisë së Kosovës ka bërë që treni i cili u nis nga Beogradi për në Mitrovicë, të ndalet pa ndonjë incident.
Këto merita për Policinë e Kosovës i ka përmendur ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë Skender Hyseni, i cili raportoi sot para Komisionit Parlamentarë për Siguri dhe Punë të Brendshme dhe Mbikqyrje të FSK-së.
Duke e quajtur trenin si provokim i Serbisë, Hyseni tha se MPB ka qenë në koordinim të përditshëm me policinë për veprimet që do të evitonin ndonjë incident në një situatë të paqartë.
“Është një provokim i rëndë me slogane urrejtje dhe me slogane që mund të shkaktonin incidente. Ka qenë bashkëdyzim i veprimeve në rastin diplomatik që Beogradi të bindet që mos të provokojë. E gjithë kjo është shoqëruar me përgatitje të detajuara me opsione se si parandalohet hyrja e trenit në mënyrën më të shëndetshme të mundshme. Policia e ka kryer punën në mënyrë të shkëlqyer”, ka thënë Hyseni para anëtarëve të Komisionit.
Duke u bërë thirrje të gjithëve që të jenë të vëmendshëm, Hyseni përmendi periudhën 3 – 4 muajshe që sipas tij mund të jenë të ndjeshme dhe të prodhojnë situata të ndryshme.
Lëvdata për Policinë dhanë sot edhe vetë anëtarët e këtij Komisioni. Daut Haradinaj si kryetar i këtij komisioni ka përgëzuar veprimet e Policisë në veri të vendit. E po ashtu për lëvdata nuk u kursye as deputetja e PDK-së Ganimete Musliu./gazetametro.net