Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka reaguar për zhvillimet e fundit në veri, duke i thënë Kurtit që të shfaqet para popullit dhe të tregojë se çfarë po ndodh në atë pjesë të vendit, shkruan Gazeta Metro.
Hyseni përmes një shkrimi në Facebook ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të dalë e të tregojë se çfarë po ndodh në veri të vendit, dhe për mënyrën se si mendon ta stabilizojë gjendjen atje.
“Zotni Albin Kurti, shfaqu para popullit dhe trego çka po ndodhë në veri të vendit dhe si e ke ndermend me stabilizu gjendjen atje. Pak javë më parë, ti Zotni, me veprime e vendime diletante e amatoreske veriun e dorëzove në duart e grupeve kriminale serbe atje, të cilat dirigjohen nga Presidenti serb Vuçiq. Apo, mbase po pret që të vijnë ata miltantët tu nga Zvicra a Gjermania, Suedia a Norvegjia, Austria a Danimarka……., ta stabilizojnë veriun???!!! Apo mos ndoshta ende je t’u prit Amerikën të të jap informata të cilat ti “si zakonisht nuk i ke?”, ka shkruar Hyseni.
Policia e Kosovës kanë treguar se sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
Siç thuhet në komunikatën e PK-së, në disa zona në Zubin Potok dhe në Veri të Mitrovicës janë regjistruar disa incidente, e që sipas policisë dyshohet të jenë shkrepje armësh dhe shpërthime. /gazetametro.net