Njeriun që ka përvojë dekadash në negociata diplomatike siç e prezantoi intervistuesja, Ylber Hysa që nga e para e nisi se kemi të bëjmë me një lojë më të madhe sesa që e mendojnë të dy liderët ballkanas që me qasjen e tyre provinciale harrojnë se veprojnë në një pellg më të madh. Ish ambasadori i Kosovës në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut theksoi se liderët duhet ta dinë që në çfarë momentumi të rëndësishëm historik gjenden, shkruan Gazeta Metro.
Në programin e qendror të lajmeve të medias serbe Nova S në Serbi ishte ftuar ish diplomati kosovar me përvojë Ylber Hysa për të diskutuar nëse pranimi i propozimit europian nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, e hedh topin tek Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e nëse në të vërtetë kjo është çështja kryesore.
Hysa u pyet se nga këndvështrimi i Beogradit kyçe duket të jetë nëse Albin Kurti do ta pranojë tani Propozimin që më parë thoshte se është i pranueshëm, a ka përgjigje për këtë tani në Prishtinë. Hysa tha se të dy krerët e shtetit kanë tentuar të përfitojnë sa më shumë në këtë pazar që të mos duken keq para elektoratit.
“Unë mendoj se kësaj po i jepet më tepër rëndësi, zoti Kurti ashtu zi zoti Vucic përveç se janë liderë janë edhe politikanë e ju duhet ta mendojnë edhe fatin e tyre politik dhe përgjegjësitë. E në këtë aspekt duhet ta dini se zoti Kurti ka ndërtuar imazhin e tij duke qenë i ngurtë ndaj të gjitha propozimeve ndërkombëtare, duke e nisur që nga Rambuje e pastaj Vjena e posaçërisht sa i përket Marrëveshjes së Brukseli, e ai këtu e sheh tani një shans që në momentin e fundit, siç do ta thoshin në gjuhë popullore, të nxjerrë diçka për të qetësuar edhe elektoratin e tij. Kështu që këtë e shoh qasjen e tij të mundshme si një përpjekje të tij të bëj diçka por të mos duket se ka lëshuar pe e të dallojë nga të gjithë ish liderët që e kanë bërë këtë. Në të vërtetë për Kosovën është një vijë e kuqe kur bëhet fjalë për Asociacionin e Komunave Serbe nëse këtë do ta shinin si nga këndvështrimi i një territori etnik, apo ndonjë lloj kantoni të ngjashëm me atë që kemi në Bosnjen e Dejtoni pasi kjo është dëshmuar si jo funksionale dhe rrezikshme. Në këtë aspekt zoti Kurti po tenton që të nxjerrë diçka që është një ‘po, por’, që kjo ‘por’ për të është e rëndësishme, por e shohim, që përmes kësaj marrëveshje të përfitojë nëse është e mundur njohjen e së paku njërës prej atyre 5 shteteve të BE’së që nuk e kanë njohur Kosovën.”
Ish diplomatin kosovar iu shtrua edhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kur u pa që se edhe Derek Chollet ka lutur Kurtin që të themelojë Asociacioni e Komunave Serbe, më parë Escobar kishte thënë se do të ndodhë me të dhe pa. A do të jetë çështje interpretimi nga Kurti i Asociacionit apo është vetëm çështje kohe për ta pranuar. Hysa tha se ka më shumë këtu dhe duhet parë nga një kënd tjetër.
“Edhe më shumë se kaq, mendoj se tani që edhe Lajcak ka zbritur në Prishtinë pa paralajmërim, dhe si i ftuar në një emision të njohur televiziv tashmë veç ka nisur qasja e shpjegimit publikut kosovar se për çfarë bëhet fjalë, e edhe ju siç e përmendët që me 31 ambasada amerikane mbledh njerëzit si mjet për të punuar edhe me publikun. E këtë po e shohim që po ndodh edhe në Beograd, presidenti Vucic iu drejtua kombit e premtoi se kjo do të bëhet edhe përmes parlamentit, opozita tek ju është mjaft kritike ndaj atij propozimi por ajo që më habit është që Kisha Ortodokse Serbe po hesht…” thumboi ca ish diplomati kosovar që nuk kaloi pa u vërejtur nga intervistuesja që e vazhdoi batutën duke shtuar se ka më tepër diçka aty pasi kreu i kishës që njihet për relacionet e ngushta me Rusinë, është në vizitë në SHBA “nuk është Patriarku këtu, ka shkuar në Amerikë”.
Hysa vazhdoi duke theksuar çështjen se jemi në një fazë të rëndësishëm dhe se ky plan i propozuar ka një shtrirje e synim më të madh sesa vetëm problemet mes kosovarëve dhe serbëve por të ardhmen e rajonit dhe është një moment kyç për vet Serbinë.
”Jo, dua të them se po fillohet ngadalë të hyjmë në një fazë të dytë të këtij kalendari politik e nëse më lejohet një vrojtim, realisht kjo që po quhet francez-gjerman e pastaj nisi të quhej europian në fund do të dalë që është propozim euro-amerikan, nuk e ka synim parësor si të zgjidh vetëm normalizimin mes Kosovës e Serbisë e as të zgjidhë në tërësi këto relacione apo edhe Kosovën. Mendoj se ky është një tregim më i gjërë që duhet parë në një kontekst historik më të gjerë nëpër të cilin po kalojmë, që është ngjarja që nisi me 24 shkurt në Ukrainë, një vis major i madh gjeopolitik e që duhet parë si një investim të madh perëndimor që përmes këtij propozimi në të vërtetë po provon të zgjidhë një çështje të vjetër shekullore në shoqërinë dhe politikën serbe që është se ku ka vendin Serbia në Lindje apo Perëndim”.
Megjithatë, ish ambasadori kosovar u sfidua se deklaratat defintive siç u dëgjuan rishtas nga kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla, se ideja e ‘Asociacionit është e vdekur’ lënë hapësira për dyshime. Hysa u përgjigj sikur të ishte ende në shërbim në mosbesimin e tij se fjala e kryediplomates kosovare saj vlen diçka në këtë çështje dhe është vetëm një pjesë e garës diplomatike. Si kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vucic e dinë se sa serioz është ky moment, dhe Perëndimi ia ka dalë që të disiplinojë shtetet e rajonit që të përqendrohen drejt synimit kryesor tashmë tha Hysa.
“Nuk jam aq i sigurt se sa vlen fjala e saj në fund, e as nuk kam ambicie të flas këtu në emër të shumicës, unë nuk përfaqësoj këtu ‘ne’, po përpiqem të shpjegoj atë që po ndodh, e do të ketë këtu lojëra, siç e kemi parë kështu edhe ka nisur ky proces me të dy liderët, si zoti Vucic ashtu edhe zoti Kurti, e kishin kuptuar se kjo është shumë serioze aq sa ata të hynë në proces, por të dy i frikësoheshin rezultatit dhe epilogut e në ndërkohë luanin lojën e fajësimit të njëri tjetrit që të përfitonin në kohë. Siç e thamë ky kalendar politik po afrohet dhe nuk duhet të harrojmë dy gjëra kryesore, këtë që e diskutuam se Perëndimi tash e një kohë po provon dhe tashmë ia ka dalë të disiplinojë jo vetëm Kosovën por edhe rajonin që t’i mundësojë më shumë hapësirë Beogradit, që në kuadër të këtij zhvillimi të madh gjeopolitik të formësojë këtë rajonin tonë ashtu që nga Adriatiku t’i afrohet Danubit dhe natyrisht pyetja kryesore është nëse Beogradi është i gatshëm të përgjigjet kësaj pyetjeje të madhe e të gjejë guxim e të vendosë e ta rrumbullakos këtë rajon si një të Perëndimit. Kjo është një çështje e vështirë e shtruar para Beogradit, e me siguri do të vazhdojë ky disiplinim, jo vetëm ndaj Kosovës, e kemi parë se kështu është vepruar edhe në Mal të Zi e edhe ndaj Sarajevës, nëse doni edhe ndaj Shkupit, që është se të tjerët të mos maksimalizojnë pozicionet e tyre duke i mundësuar Beogradit që të vendosë më në fund për këtë çështje shumë serioze”.
Hysa u pyet se a është e mundur që Kurtin, siç e shohin në Beograd tha gazetarja serbe si problemin kryesor, ta rrëzojnë e të ketë përsëri zgjedhje në Kosovë. Përgjigja e tij ishte se Perëndimi nuk do të lëshoj rastin e përshtatshëm të konstelacionit politik në dy vendet, pasi që të dy iderët kanë mbështetje të madhe politike.
“Jo. Nuk e besoj. Perëndimi e di se në këtë lojë ka dy liderë që kanë fituar maksimumin e mbështetjes, si njëri dhe tjetri kanë mbi 51 përqind, e nuk do ta lëshonin një shans të tillë. E zgjedhjet nuk do të sillnin ndonjë risi radikale. Por në Kosovë po e kuptojnë që kemi arritur në një moment, nuk e di a do të mund ta quaja Jalta e dytë, por ne këtu në rajon gati edhe me një qasje provinciale mendojmë duke e mos kuptuar peshën e momentit historik nëpër të cilin po jetojmë, mendoj se tarifat kohore po na numërohen dhe duhet të jemi serioz me këtë propozim që siç e thash nuk e besoj se është vetëm francez e gjerman.”
Sa për afatet kohore që siç i kishte përmendur Kryeministri Kurti se mund të ishte që në mars madje, dhe sa do të ishte kjo e mundshme, Hysa tha se ndoshta kishte një rast të tillë vitin e kaluar të veprohej nëse nuk do të ndodhte kriza në Veri, por tani ka shumë faktorë që duhet marrë parasysh dhe një afat mund të jetë fundi i vitit si rrjedhojë e luftës në Ukrainë. E për Serbinë një faktor tjetër ekstra e shtoi Hysa.
“Nuk besoj se kjo është e mundur të ndodhë aq shpejt. Me gjasë ishte një shans i tillë më herët, ajo që ndodhi në veri të Kosovës në fund të vitit nuk i ndihmoi asaj agjende politike, por ne kemi parë seriozitetin e qasjes jo vetëm me vizitën e fundit të pesëshes në Beograd dhe Prishtinë por edhe këtë që po e shohim që po ndodh tani se çdo ditë e më shumë do të ketë më tepër presion të drejtpërdrejtë. Mendoj se kjo edhe varet mjaft nga teatri ushtarak në Ukrainë, e nga atje mund të vjen një kornizë kohore që me gjasë do të jenë zgjedhjet presidenciale në Rusi që do të duhej të mbahen dikur në janar të vitit të ardhshëm kështu që logjikisht do të duhej që deri në fund të këtij viti të kemi arritur deri tek një epilog në këtë rajon e që nuk do të duhej ta priste epilogun e luftës në Ukrainë. Në këtë aspekt mendoj se do të shohim rritje të presionit, gjithsesi ky nuk do të jetë vetëm presion i Perëndimit por edhe i Rusisë para të gjithëve ndaj Serbisë dhe nuk do të më habiste që kjo tashmë po ndodhë”.
Ai u pyet se nëse Kosova pret ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përgjigja e tij ishte se kjo do të ishte e drejtë por gjithçka do të ndodhë në mënyrë të përshkallëzuar, gjithsesi, duke e përsëritur se nën llupë realisht më shumë është Serbia.
“Për Prishtinën mendoj kjo do të ishte fer, në këtë lloj ndarje. Duhet të kuptohet këtu se ky propozim ka një karakteristikë fazore. Asgjë nuk do të ndodhë brenda natës. Por këtu edhe shqyrtohet se ja edhe Beogradi do të pranojë që nuk do ta bllokojë këtë. E si do të ja dilte ta bindë Moskën që të mos bllokojë Kosovën. Kështu që këtu ka lloj lloj këso finesash por meqenëse Perëndimi po përcaktohet si garantues në atë që po ofron këtë duhet parë përsëri, siç e thamë më parë, përmes atij vis major historik. Nëse kjo është një qasje fazore atëherë kjo nuk është marrëveshja finale për problemet kosovare-serbe por një mjet që Serbia të mbledh kurajë që të deklarohet se edhe ajo më në fund është Perëndimore si të tjerët në rajon. Mendoj se të gjithë të tjerat janë sekondare në krahasim me këtë çështje thelbësore”./gazetametro.net