Një 14-vjeçar ka ndërruar jetë pasi hyri në lumin Thames në Londër gjatë një dite me temperatura të larta, ku termometri kaloi mbi 30 gradë Celsius, transmeton Gazeta Metro.
Ngjarja ndodhi në zonën Millwall Outer Dock, në pjesën lindore të kryeqytetit britanik, ku i mituri u fut në ujë të hënën, por hasi vështirësi dhe nuk arriti të kthehej në breg.
Sipas banorëve të zonës, i riu ishte së bashku me një grup të rinjsh që kishin shkuar aty për t’u freskuar gjatë periudhës së nxehtësisë së madhe. Në atë hapësirë ndodhet një platformë që shpesh përdoret për kërcime në ujë, ndonëse autoritetet kanë vendosur sinjalizime që ndalojnë notin pa leje.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e policisë dhe shërbimet emergjente, por përkundër përpjekjeve, 14-vjeçari nuk ka mundur të shpëtohet, raporton Metro.
Banorët kanë ngritur shqetësime edhe për mungesën e masave mbikëqyrëse në këtë zonë, duke kujtuar se më herët aty kishte roje të angazhuara nga Këshilli i Tower Hamlets, shërbim që më pas ishte ndërprerë. Në afërsi të vendit ku ndodhi tragjedia janë vendosur paralajmërime për rrezikun e hyrjes në ujë, përfshirë njoftime se “noti pa autorizim nuk lejohet” dhe sinjalizime për thellësinë e ujërave./gazetametro.net