Loading…

‘Hyri në lokal dhe e goditi me thikë në zemër’: Dëshmitari deklarohet për vrasjen e vitit 2018 në Ferizaj

  • 16/02/2022 | 17:35

‘Hyri në lokal dhe e goditi me thikë në zemër’: Dëshmitari deklarohet për vrasjen e vitit 2018 në Ferizaj

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është dëgjuar dëshmitari Fahri Bega, i cili është pronar i lokalit “n’Konak”, ku kishte ndodhur vrasja e E.I., në qërshor të vitit 2018. Bega tha se i akuzuari Dardan Shabani dhe tani i ndjeri E.I, më parë ishin përleshur mes vete dhe se kishte tentuar t’i pajtonte, por pa rezultat.


Për këtë rast, Dardan Shabani akuzohet për vrasje, kurse Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti ngarkohen për pjesëmarrje në rrahje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tre të akuzuarit ngarkoheshin edhe për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, por në bazë të nenit 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të KPRK-së, prokurori kishte refuzuar akuzën ndaj të akuzuarve për këtë vepër.

Dëshmitari Fahri Bega në seancën e së mërkurës tha se i akuzuari Shabani me tani të ndjerin më parë kishin qenë të përfshirë në një përleshje mes vete.

Pas kësaj, dëshmitari Bega tha se me vetë vullnet kishte ndërmjetësuar për t’i pajtuar mes vete, ky i fundit ka përmendur se njëherë ishin takuar në kafenenë “Shamrock” në Ferizaj.

“Unë doja t’i pajtoja sepse ata ishin dy të rinjë që mund të gabonin, por Dardani më ka thënë “kqyri punët e tua, unë atij nuk ja fali”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se dy-tri herë kishte tentuar që t’i pajtonte, por që tani i akuzuari Shabani nuk kishte pranuar.

Dëshmitari Bega, tha se atë ditë kritike, ishte festa e Bajramit dhe se i kishte lajmëruar punëtorët e sigurimit të lokalit “n’Konak” që personin Dardan Shabani, mos ta lejonin të hynte brenda në lokal.

“Tani i akuzuari Shabani, kishte ardhë te lokali, sigurimi e kishte ndaluar, por ai i kishte thënë sigurimit të largohej me fjalët “mos ma merr fytyrën, veq një birrë po e pi dhe po dal, s’kam ardhë në këtë ditë për sherre”, më pas në hymje është një kënd në formë të shkronjës “L” të cilin nuk e kapë kamera e sigurisë dhe nuk di si i njëjti është ngjitur lart për të hyrë në lokal”, ka deklaruar dëshmitari Bega.

Tutje, dëshmitari Bega ka shtuar se i ka parë incizimet e kamerave të sigurisë, në bazë të të cilave tha se konsideron se i akuzuari Shabani kishte hyrë me pretendimin që ta sulmonte tani të ndjerin.

“Në bazë të incizimit kam pa që Dardani ka hyrë në lokal, ka nxjerrë thikën dhe i ka mshu drejt e në zemër, i kam përcjellë kamerat me vëmendje, krejt kjo ka ndodhë për 40 sekonda, andaj mendoj se ai ka hyrë me pretendim për ta sulmuar tani të ndjerin”, ka thënë dëshmitari.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shabani, avokati Skender Musa, e ka pyetur dëshmitarin se për çfarë vepre akuzohej tani i ndjeri, e dëshmitari tha se nuk e dinte, ngase nuk ishte ndonjë i afërm i tij.

Avokati Musa, tha se tani i ndjeri, kishte qenë i akuzuar për tentim vrasje, ku i dëmtuari ishte tani i akuzuari Dardan Shabani. Ai shtoi se ky i fundit ishte i there dy herë në anën e majtë afër zemrës, nga tani i ndjeri.

Musa ka pyetur dëshmitarin Bega nëse i njëjti kishte njohuri se tani i ndjeri kishte qenë në paraburgim dhe sa kishte qëndruar.

Dëshmitari Bega tha se e dinte se tani i ndjeri ishte në paraburgim, por sa kishte qëndruar nuk e dinte.

Në këtë fazë të procedurës, prokurori Rasim Maloku ka propozuar që të ftohet për seancë të radhës, në cilësi të dëshmitarit Sylejman Sopa, e më pas këtë propozim e ka aprovuar kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi.

Andaj, seanca e radhës për këtë rast u caktua më 29 mars 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Dardan Shabani akuzohet se më 15 qershor 2018, rreth orës 22:10, në kafenenë “n’Konak” në Ferizaj, me dashje direkte dhe me qëllim të hakmarrjes kishte privuar nga jeta tani të ndjerin E.I, për shkak të një mosmarrëveshje të para një viti, ku tani i ndjeri e kishte goditur me thikë, me çka i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Shabani, së bashku me të akuzuarit Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti, kishin shkuar në kafene ku tani i ndjeri kishte punuar si sigurim fizik, me ç’rast kishte nxjerrë një thikë me të cilën në mënyrë tinëzare e kishte goditur në pjesën e gjoksit, duke depërtuar deri në zemër, kurse të pandehurit Murseli dhe Ahmeti, e kishin goditur me karrige dhe shishe të birrës, me ç’rast, tani i ndjeri ishte rrëzuar dhe i pandehuri Shabani e kishte goditur edhe tetë herë të tjera me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës, nga të cilat goditje i ndjeri pëson lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e të cilave kishte ndërruar jetë.

Për këtë, i pandehuri Shabani akuzohet për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.8 i Kodit Penal.

Po ashtu, më datë dhe vend të njëjtë, ai i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Elmedin Sherifi, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte ndërhyrë për t’i ndarë të pandehurin dhe të ndjerin, Shabani e kishte goditur me thikë në parakrahun e dorës së djathtë, i cili kishte tejshpuar parakrahun.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal.

Në datë dhe vend të njëjtë, të pandehurit Murseli dhe Ahmeti po akuzohen se edhe pse kishin qenë të paprovokuar, kishin marrë pjesë në rrahje ku kishte mbetur i vdekur i ndjeri E.I., në atë mënyrë që atë dhe pjesëmarrësit e tjerë që kishin tentuar t’i ndajnë, i kishin goditur me shishe të birrës.

Për këtë, secili veç e veç po akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 190, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë dhe kohë të njëjtë, të pandehurit Musliu dhe Ahmeti po akuzohen se i kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarve Ibrahim Emini dhe Elmedin Sherifi, të cilët kishin tentuar që t’i ndanin të pandehurit dhe tani të ndjerin, ku që të dy të akuzuarit i kishin goditur të dëmtuarit me karrige dhe shishe të qelqit, nga të cilat goditje të dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të lehta trupore.

Për këtë, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë