Dy të tretat e serbëve kanë qëndrim negativ ndaj shqiptarëve, si edhe dy të tretat e shqiptarëve ndaj serbëve, ndonëse vetëm një e pesta e serbëve e njeh ndonjë shqiptar dhe vetëm gjashtë për qind e shqiptarëve ka të njohur ndër serbët.
Ky është rezultati i anketës së agjencisë „Faktor plus“, të bërë në Shqipëri e në Serbi, transmeton gazetametro.net.
Këtë anketë „Faktor plus“ e ka bërë për nevoja të agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, në kuadër të një projekti më të gjerë ‘Serbët e shqiptarët – cilës rrugë më tutje’, të cilin Tanjug-u e realizon me agjencinë shqiptare të lajmeve ATA dhe me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë.
Hulumtimi është bërë në gusht, në mostrën prej 1.000 të anketuarve në Serbi dhe po aq në Shqipëri, njoftojnë mediat serbe.
Fjala është për hulumtimin e parë të këtillë, komparativ të opinionit publik në dy vendet me temë ‘Marrëdhëniet e popullit serb e shqiptar, perspektiiva, pikat e mospajtimeve, mundësitë dhe fushat e bashkëpunimit’.
Rezultatet e hulumtimit kanë treguar se shumica e serbëve dhe shqiptarëve nuk njeh personalisht pjesëtarë të popullit tjetër. Në pyetjen se çfarë qëndrimi kanë njëri ndaj tjetrit, 64 për qind e serbëve kanë deklaruar se kanë qëndrim negativ ndaj shqiptarëve, deri sa 59 për qind e shqiptarëve janë deklaruar se kanë qëndrim negativ ndaj serbëve.
Përgjigjet në pyetjen se për cilin popull në rrethinë kanë qëndrim negativ, kanë qenë pak më ndryshe.
Qëndrim më negativ, kur është fjala për popujt në rrethinë, shqiptarët bindshëm kanë ndaj serbëve, madje 68 për qind, deri sa serbët ketë ndjenjë e kanë para së gjithash ndaj kroatëve, 45 për qind./gazetametro.net