Loading…

Hoxhaj: Sulmet ndaj Arbanës nuk do ta ndalin Fillimin e Ri për Kosovën

  • 13/05/2017 | 15:31

Hoxhaj: Sulmet ndaj Arbanës nuk do ta ndalin Fillimin e Ri për Kosovën

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, në një konferencë për media, ka siguruar Arbana Xharrën, e cila mbrëmë është sulmuar brutalisht, se e gjithë PDK-ja nga e mbarë Kosova e mbështesin atë dhe ndodhen pranë saj.


Hoxhaj ka falënderuar subjektet tjera politike të Kosovës për mbështetjen e treguar gjatë ditës së sotme ndaj Zonjës Xharra.

“Janë pikërisht momente të rënda si kjo me Arbanën kur ne duhet të lëmë politikën anash dhe të dënojmë ashpër çfarëdo forme të dhunës, pa asnjë hezitim. Sulmi barbar ndaj Arbanës nuk ishte vetëm një atak ndaj personalitetit të saj, ndaj një nëne, por është një sulm ndaj demokracisë sonë dhe lirive tona. Ne – Partia Demokratike e Kosovës – jemi mirënjohës për mbështetjen e jashtëzakonshme të sotme nga e gjithë shoqëria kosovare”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka deklaruar se PDK mbështet fillimin e ri për Kosovën dhe synon ta zhvillojë ekonominë e vendit, të investojë në bujqësi, t’i fuqizojë gratë dhe t’u sjellë të rinjve kosovarë shpresë dhe mundësi.

“Ne jemi një parti e së ardhmes, me një lider për të ardhmen”, ka thënë Hoxhaj.

“Sulmi i zonjës Xharra është një tendencë për frikësim të njerëzve që duan që Kosova ta ketë një fillim të ri. Ne i sigurojmë qytetarët e Kosovës, votuesit e PDK-së, se PDK-ja nuk do të ndalet që Kosova nga 11 qershori ta ketë një fillim të ri”, ka shtuar ai.

Zëvendëskryetari i PDK-së, po ashtu, ka pohuar se ditëve në vijim PDK-së dhe Fillimit të Ri për Kosovën do t’i bashkohen edhe personalitete të tjera eminente nga shoqëria civile, politika, e gazetaria.

“Ka elementë në shoqërinë tonë të cilët ngulmojnë të rrënojnë gjithçka që ne e kemi ndërtuar me shumë mund. Ne nuk do të lejojmë që ata t’ia dalin në këto synime të tyre meskine”’.

“PDK-ja, e udhëhequr nga z. Kadri Veseli, është partia e vetme që mund ta ndërtojë një Kosovë të re, e cila mund të ofrojë një fillim të ri. Dhe askush tjetër. Askush nuk do ta ndalë Fillimin e Ri”, është shprehur Hoxhaj.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë