Loading…

OJQ’të instrument i politikës, rasti ‘Dehari’ mbyllet pas hetimit të pavarur

  • 02/04/2017 | 11:59

OJQ’të instrument i politikës, rasti ‘Dehari’ mbyllet pas hetimit të pavarur

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha thotë se radikalizmi si dukuri ka depërtuar edhe në burgjet e Kosovës, por beson se Shërbimi Korrektues në bashkëpunim me organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare për hetim dhe sundim të ligjit i ka marrë të gjitha masat që ta ketë situatën nën kontroll.


Në një intervistë për lajmi.net, ministrja Hoxha theksin se bashkëpunim shumë i rëndësishëm për institucionet e Kosovës lidhur me këtë problematikë është ai me Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Të gjithë këta persona janë të identifikuar dhe monitorohen nga personat përgjegjës të burgjeve. Së shpejti do të kemi edhe një strategji që do të merret me çështjen e deradikalizimit”, thotë ministrja Hoxha.

Në këtë intervistë zonja Hoxha flet edhe për raportin e Progresit të BE-së ku konstatohen ndërhyrje në sistemin e Drejtësisë, pastaj flet për rastin e Astrit Deharit, reformën në drejtësi, etj. Më poshtë lexoni pjesë nga kjo intervistë.

Raporti i Progresit dhe disa raporte të tjera të organizatave ndërkombëtare, por edhe vendore e kanë kritikuar Kosovën në raport me luftimin e korrupsionit, por edhe të sundimit të ligjit në përgjithësi. Sipas Raportit të Progresi të BE-së, politika ka ndikim të madh në sistemin e drejtësisë, gjë që po ndikon që të mos ketë sundim të mirëfilltë të ligjit. Si e vlerësoni ju këtë raport, pra që flet për ndërhyrje të politikës në drejtësi?

Dhurata Hoxha: Kjo çështje është trajtuar me kujdes, mbase këto rekomandime për shtetet e caktuara si rasti ynë, në procesin integrues, janë jetike të përmbushen. Sundimi i ligjit është prioritet i BE-së për shtetet aspirantë andaj, në veçanti është parë edhe çështja e ndërhyrjes së politikës në drejtësi.

Me qellim që të mënjanohet çdo ndikim në sistemin e drejtësisë, veçmas prokurorit të shtetit t’i mundësohet kryerja e punës në mënyre të papenguar dhe me qëllim të shmangies eventuale të mundësisë së pengimit të procedurave hetimore dhe gjyqësore, kemi kontribuuar që me ligj të bëhet suspendimi i kategorive të caktuara të zyrtarëve publik, kjo konsiderohet si rrethanë që i kontribuon luftimit më të suksesshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Organizatat e shoqërisë civile kanë organizuar peticion për zbardhjen e rastit të vdekjes së Astrit Deharit. Për juve si ministre, a është mbyllur ky rast apo ende nuk e ka marrë epilogun përfundimtar?

Dhurata Hoxha: OJQ-të, jo një herë, janë bërë instrument i politike ditore, madje duke politizuar ndonjë rast siç ishte rasti i Astrit Deharit. Zbardhjen e  rastit e kanë për obligim ta kryejnë institucionet përgjegjëse, prandaj kam pritur që OJQ-të të reagojnë kundër presionit që i bëhet organeve të drejtësisë rreth çështjes. Rolin e organeve të hetuesisë, prokurorit as të gjykatësit nuk mund ta zëvendësojë askush. Rasti Dehari është ende në proces dhe presim që të përfundojë pas realizimit të kërkesës së familjes për hetimin e pavarur.

Familja Dehari ka bërë të ditur se do të angazhojë ekspertë zviceranë për hetimin e rastit “Dehari”. A ju ka njoftuar familja dhe kush do t’i mbulojë shpenzimet?

Dhurata Hoxha: Vendimi i Kuvendit është i qartë, dhe ne do të veprojmë sipas tij. Sipas këtij vendimi, i mundësohet Familjes të angazhojë institucione kredibile nga cilido vend i BE-së apo ShBA-së dhe më këtë rast, Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë tërësisht shpenzimet për çdo ekspertizë shtesë.

Kohë më parë ka qarkulluar një letër e juaj dërguar kryeprokurorit Lumezi ku ju si ministre kërkoni hetim për avokatin Tomë Gashi dhe dy mjekët patologë të angazhuar nga familja Dehari. Çfarë kërkoni konkretisht nga kryeprokurori i Shtetit?

Dhurata Hoxha: Në rast se hidhen dyshime ndaj të gjeturave të hetuesisë apo prokurorisë, dyshime ndaj të gjeturave nga institucioni profesional dhe kredibil nga persona zyrtar, atëherë, konsideroj se dy të vërteta nuk mund të jenë. Kam kërkuar që të verifikohen supozimet e personave që ngrisin dyshime ndaj të gjeturave të institucioneve përgjegjëse.

Organet e drejtësisë mund të kontestohen mbi bazën e supozimeve, por është e drejtë që me ato supozime të merren organet përgjegjëse dhe të mos qarkullojnë si akuza ndaj institucioneve pa u verifikuar ato dhe pa marrë përgjigje zyrtare. Konsideroj se presioni ndaj organeve të drejtësisë ishin të motivuara politikisht, të pashembullta dhe të njëanshme.

Cili do të jetë bashkëpunimi i mundshëm i Ministrisë së Drejtësisë me Gjykatën Speciale e cila zyrtarisht ka nisur punën në janar të këtij viti?

Dhurata Hoxha: Ministria e Drejtësisë lidhur me çështjen e Gjykatës speciale nuk ka asnjë përgjegjësi, andaj bashkëpunimi ynë me këtë institucion do të jetë në pajtim me këtë përgjegjësi.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë