Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka thënë gjatë seancës së sotme të Kuvendi të Kosovës ku po debatohet në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit se ka kërkuar hetime nga Kryeprokurori që të hapen pista në lidhje me pretendimet e hetuesve të familjes Dehari, sipas të cilëve Astriti është vrarë
Hoxha ka kërkuar që të ketë përmbajtje dhe të mos paragjykohet puna e institucioneve.
”Unë i kam dërguar letër Kryeprokuroprit dhe kam kërkuar që të hapen pista në lidhje me pretendimet e hetuesve të familjes Dehari. Ju lutem, përmbahuni nga deklarimet që partagjykojnë punën e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxha, shkruan gazetametro.net.
Hoxha ka bërë thirrje që jo vetëm veprimet, por për aq sa është e mundur edhe deklarimet, veçmas të personave me përgjegjësi dhe që ushtrojnë funksione publike, të bëhen në pajtim me ligjet në fuqi dhe mos të tentojmë që të përfitojmë në çfarëdo forme nga tragjedi të tilla.
“Le të mbetet në përgjegjësinë politike, përgjegjësinë profesionale dhe ndërgjegjen njerëzore të të gjithë atyre që në çfarëdo forme kane tentuar dhe po tentojnë ta keqpërdorin dhe përfitojnë nga kjo tragjedi”, ka thënë Hoxha.
Gjithashtu, Hoxha ka treguar edhe për procesin e ekzaminimit të trupit të të ndjerit Dehari, ku ekspertët e mjekësisë ligjore në një proces transparent me prezencën edhe të mjekëve të tjerë të propozuar nga familja dhe vëzhguesve nga EULEX kanë konstatuar se i ndjeri Dehari është vetëvrarë.
“Edhe Prokuroria e Shtetit ka dalë me njoftimin zyrtar se pas hetimeve preliminare rezulton se i ndjeri është vetëvrarë”, ka thënë ajo.
Hoxha, po ashtu ka përmendur edhe EULEX-in që kishte përcjellë dhe monitoruar të gjithë procesin në rastin Dehari dhe që e kishte vlerësuar të gjithë procesin profesional dhe në pajtim me standardet përkatëse./gazetametro.net