Loading…

Hoti: LDK është partia e vetme që ka shkuar në Evropë

  • 06/06/2017 | 21:13

Hoti: LDK është partia e vetme që ka shkuar në Evropë

Gjatë një takimi me Degën e IV-të të LDK-së në Prishtinë, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të martën se zgjedhjet e 11 qershorit janë referendum nëse Kosova do të shkojë në Bashkimin Evropian, ose do të mbetet e izoluar.


“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është partia e vetme që ka shkuar në Evropë. LDK është anëtare e Partive Popullore Evropiane (PPE) dhe ndan vlera të përbashkëta me Evropën. Vetëm fitorja e LDK-së dhe partnerëve saj më 11 qershor mund ta dërgojë Kosovën në Evropë, ndërsa alternativa tjetër është vazhdimi i izolimit të Kosovës”, ka thënë Hoti.

“Ne do t’ia hapim rrugën atdheut tonë për integrimet euro-atlantike. Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi ne do ta zgjidhim pa e humbur asnjë pëllëmbë të territorit të Kosovës. Ne do t’ua sjellim krejt qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave. Ne do ta krijojmë ushtrinë e Kosovës. Ne e dimë si do ta integrojmë Kosovën në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ne kemi miq të fortë që na besojnë ne dhe duan ta ndihmojnë Kosovën. Por, ne na duhet mbështetje e fortë qytetare më 11 qershor për t’i arritur këto synime”, ka deklaruar Hoti.

Hoti ka potencuar se më 11 qershor, jam i bindur se brezi i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, së bashku me Brezin e Republikës (rininë), do ta jetësojë amanetin e Presidentit Rugova, për t’ia besuar Kosovën dhe të ardhmen e popullit të saj, një lidershipi politik me duar të pastra, të dijshëm dhe vizionar.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, është i vetmi që ofron një program me zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.

“Koalicioni ynë ka program të harmonizuar. Ky program i garanton Kosovës zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, mirëqenie sociale, arsimim e shërbim shëndetësor cilësor. Çka është kryesorja, ne jemi të vetmit që kemi demonstruar vendosmëri dhe jemi të përkushtuar ta luftojmë pa kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta mbrojmë vendin tonë prej terrorizmit”, ka thënë Mustafa.

Halim Muçolli, kryetar i Degës së IV-të të LDK-së në Prishtinë, ka thënë se LDK dhe aleatët e saj janë komplet ndryshe nga oponentët politikë, pasi që ne dimë të kryejmë punë për shtetin që nga themelimi i LDK-së në vitin 1989.

“Kandidati ynë për kryeministër ka përvojë të suksesshme akademike dhe publike, ndërsa kandidati i atyre synon që punën e parë ta bëjë atë të kryeministrit. Ne kemi ofertën më të mirë për rininë, për gratë dhe për fëmijët tanë. Kryefjala e koalicionit të natës për 18 vite ishte frika dhe monopoli. Monopoli në biznese, monopoli në histori, monopoli në patriotizëm dhe monopoli ndaj jetëve tona. Ky monopol do të prishet më 11 qershor me votën e lirë qytetare”, ka thënë Muçolli.

Ai ka shtuar qytetarët e Prishtinës duhet të dalin masivisht dhe të votojnë për mbrojtje të Kosovës, siç bënë në vitin 2001 në kohën e Rugovës. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë