Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot ka marrë shumë urime, pas përfshirjes në mesin e 28 liderëve europian me ndikim në transformimin e politikave dhe ideve europiane për vitin 2017, nga magazina prestigjioze “POLITICO”.
Por, urimi që ka mundur ta befasojë është ai i zv.ministrit të Kulturës, Rexhep Hoti, i cili vjen nga PDK.
Hoti përmes një publikimi në Facebook, ka thënë se ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën, dhe se ai personalisht beson shumë te personaliteti i Shpend Ahmetit.
Publikimi i plotë i zv.ministrit Hoti:
Një lajm shumë i gëzuar për Kosovën na vjen nga Politico.eu, i sponsorizuar prej mediumit të famshëm «Sky», ku cilësohet guida e 28 njerëzve që pritet të shkëlqejnë në vitin 2017 e tutje.
Ky gëzim bëhet edhe më i veçantë, sepse bëhet fjalë për politikë.
Por, veçantia thellohet edhe më shumë sepse konkretizohet te një personalitet politik kreativ e novator, në kuadër të subjektit prej nga ai vjen.
Urimi im për Shpend Ahmetin në këtë rast është pjesë e një urimi që sjellë reflektim pozitiv dhe inkurajim për klasën politike të pa ngarkuar e ngjyrosur nga barishtet e këqija, që e rrënojnë një qeverisje të mirë, transparente, kreative dhe prosperuese.
E vërteta se ndajmë subjekte të ndryshme, më jep më shumë kurajë për të qenë gjithmonë të bashkërenduar brenda standardeve që kërkon edhe një bashkëpunim i tillë në një shtet demokratik.
Urime dhe shumë fat e suksese, Shpend!
P.S: Besoj fuqishëm se Ti sapo ke filluar ta shpalosësh shërbimin tënd kreativ të një personaliteti të zgjedhur me votë të lirë ndaj qytetarit!