Loading…

Hill: Ia kemi bërë të qartë Kurtit, s’ka marrëveshje tjera pa e zgjidhur çështjen e të drejtave kolektive të serbëve

  • 02/12/2022 | 10:22

Hill: Ia kemi bërë të qartë Kurtit, s’ka marrëveshje tjera pa e zgjidhur çështjen e të drejtave kolektive të serbëve

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka kuptuar se çështja e së ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut.


Ai shtoi se SHBA dhe BE ia kanë bërë të qartë Kurtit se s’ka marrëveshje tjera pa e zgjidhur çështjen e të drejtave kolektive të serbëve.

“Shqiptarët në Kosovë duan të shohin se sa hapësirë ​​kanë për ndërkombëtarizimin e çështjeve të tyre, por serbët kanë jetuar atje me shekuj dhe Serbia dëshiron të shohë se çfarë të ardhme do të kenë dhe kjo bie nën Asociacionin. Shumë gjëra duhet të zgjidhen, para se të arrijmë një qasje më të normalizuar”, tha Hill mbrëmë në një intervistë për TV Insajderi në Serbi.

Hill tha se BE-ja po përpiqet të gjejë një zgjidhje dhe se SHBA-ja e mbështet atë.

“Ju duhet ta dini se qeveria ime është e interesuar të bashkëpunojë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me BE-në, për të parë nëse mund të bëjmë një lloj përparimi – nëse nuk do të ishte një çështje e vështirë, do të kishte qenë zgjidhur shumë kohë më parë”.

Në pyetjen se kush është duke i udhëhequr negociatat Kosovë-Serbi, BE apo SHBA, Hill tha se negociatat udhëhiqen nga BE-ja, por se shumë vende, përfshirë SHBA-në, kanë të dërguar që mbështesin të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, duke thënë se puna s’është e lehtë.

“Vetë BE-ja nuk është unike në këtë çështje, vende të ndryshme kanë qëndrime të ndryshme, por ato ndihmojnë”, tha ai.

Hill ka komentuar gjithashtu marrëveshjen e arritur së fundmi për targat në Buksel. Ai thotë se në fakt BE-ja donte të shtynte afatin me dy ditë për të zgjidhur çështjen.

“Bashkimi Europian dhe SHBA e ngritën këtë pyetje dhe në fund Kurti vendosi t’i shtojë disa ditë këtij afati”, tha Hill, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, ai saktëson se çështjet si targat nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të përgjithshëm të Kosovës.

“E gjithë kjo është punë shumë e vështirë – që qeveria në Prishtinë ta kuptojë. Por, falë punës së palodhur të BE-së, Kurti e kuptoi se çështja e së ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut dhe duhet të zgjidhet në çdo proces normalizimi”, shtoi ai.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e Kurtit që thoshte se dialogu me Serbinë nuk është në tri prioritetet e tij kryesore dhe se është vetëm për njohje reciproke.

Hill tha se Kurti mund të thotë çfarë të dojë për mediat, por shtoi se “të japësh deklarata nuk do të thotë të drejtosh politikë”.

“Ai do të duhet të flasë me negociatorët në Europë dhe amerikanët. BE-ja i kanë thënë qartë se duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë. Jini të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejshme derisa ta zgjidhim këtë çështje”, tha Hill.

“Ne do të donim që Serbia dhe Kosova ta njihnin njëra-tjetrën, por shumë gjëra duhet të zgjidhen para kësaj”.

I pyetur për të ashtuquajturin planin franko-gjerman, Hill është përgjigjur se SHBA-ja mbështet BE-në në procesin e arritjes së një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy palëve.

“Nëse më pyesni nëse amerikanët do të donin që të dy vendet të njihnin njëri-tjetrin – sigurisht. Duhet të jemi të sinqertë dhe të qartë, shumë gjëra duhet të zgjidhen para se të arrijmë në atë pikë duke filluar me një qasje më të normalizuar sepse për momentin nuk ka pothuajse asnjë marrëveshje për targat”, tha ai.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë