Po bëhen gati dy ditë të plota që kur i riu Astrit Dehari ndërroi jetë përderisa po mbahej në burgun e Prizrenit.
Vdekja e aktivistit të lëvizjes Vetëvendosje shkaktoi shumë reagime, mirëpo shumica e këtyre reagimeve erdhën nga vetë kolegët dhe anëtarët e partisë së Deharit.
Presidenti dhe kryeminsitri i vendit nuk kanë thënë ende asnjë fjalë për vdekjen e qytetarit të Kosovës që ishte nën mbikqyrjen e institucioneve korrektuese të vendit.
Kjo heshtje duket të jetë edhe më e rëndë nëse kujtojmë që këta dy liderë të vendit komentojnë shumë shpesh e shumë çka.
Duke filluar që nga ngjarjet vendore e deri te lajmet botërore ata janë mjaft aktiv në dhënien e qëndrimeve të tyre, sidomos përmes rrjeteve sociale.
Publikimi i fundit i presidentit Thaçi është për pritjen që ai i ka bërë skuadrës së FSK-së që garoi në një garë ne Britaninë e Madhe.
Ndërsa, Mustafa në publikimin e tij të fundit është kujdesur që të reagojë ndaj raportimeve për harxhimet e qeverisë lidhur me pastrimin e veturave të tyre.
Kujtojmë që në konferencën e jashtëzakonshme të mbajtur nga Vetëvendosje lidhur me këtë rast kryetari Ymeri ka fajësuar shtetin për vdekjen e Deharit.
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë disa herë thirrje për lirimin nga burgu të aktivistit Dehari dhe pesë aktivistëve të tjerë, shkruan gazetametro.net
Përveç Vetëvendosjes edhe Partia e Drejtësisë, NISMA për Kosovën si dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë kërkuar hetim për vdekjen e Deharit.
Dehari ishte anëtar i këshillit të përgjithshëm të lëvizjes Vetëvendosje./gazetametro.net