Heronjtë e të së djeshmes, janë të diskriminuarit e të sotmes nga qeveria e Kosovës. Pra, punëtorët shëndetësorë, pa dallim, gjithandej Kosovës, që nga ekipet e ambulancave emergjente, rojet tek dera hyrëse, punëtorët teknik, motrat dhe teknikët medicinal deri tek mjeku në repart, në luftë me pandeminë janë heronjtë e ditëve tona.
Shkruan: Flamur Beqiri
Në këtë luftë ranë edhe jo pak prej tyre. Ranë duke na ndihmuar neve e ranë duke u ndihmuar edhe këtyre të pushtetit. Pra, asnjë dallim. Qëllimi ishte shërimi, jo politika, numrat jo se jo e aq më pak mburrja. Ndërsa sot, këta heronjtë përbuzen, ofendohen edhe bile poshtërohen nga pushteti aktual për të vetmin fakt se kryejnë punën e vet. Janë po të njëjtit të cilët për të ardhur në pushtet, mashtruan.
Na kujtohet mirë, kur këta që janë sot në pushtet nëpërmjet hafijeve të veta, “në kajde të buklës”, futeshin korridoreve të spitaleve duke bërë spektakle mediale me personelin mjekësor, duke i marrë në pyetje, në kulmin e punës së tyre.
Krejt kjo për të zhvleftësuar luftën e pakompromis të punëtorëve shëndetësorë kundrejt pandemisë dhe për të diskredituar qeverinë e atëhershme respektivisht ministrin përkatës. TURP, është fjala e cila e përthekon këtë marrëzi.
Pra, turp për pushtetin popullor, i cili në emër të “Krejt dhe Drejt”, dhe në emër të një alternative të re politike, sigurisht duke mashtruar, sillet me arrogancë edhe ndaj të infektuarave të cilët dergjen spitaleve, duke i konsideruar vetëm si numra elektoral. Për më tepër, për t’i vënë kapakun kësaj marrëzie, ministri praktikant i kësaj qeverie, dikush më tha mos t’i them dështak, kinse epitet goxha i rëndë, merr “guximin” me “zor” t’i hyj garës për Prishtinën.
Garë e humbur që në start. Pra, me “guxim”, e me “zor”, që të dyja së bashku për faktin se, në vend se të jap dorëheqje e të pranojë dështimin dhe mungesën e kompetencës për të menaxhuar dhe luftuar pandeminë, ministri në kulmin e një vale pandemike, dezerton nga detyra dhe nisë një garë të re politike mbase edhe nën presion. Me një kërkim falje nuk amnistohet por të paktën do të pranonte dështimin.
(Autori Flamur Beqiri, është në Kryesi të LDK’së në Prishtinë).