Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, paralajmëron një javë interesante të zhvillimeve politike.
“Është një javë interesante dhe ta shohim se si do të përfundojnë, do të ketë zhvillime interesante që përfshijnë demarkacionin”, tha ai për Kallxo.com
Për Hazirin marrëveshja për demarkacion duhet të shkojë në Kuvend për t’u votuar meqë kjo, siç tha ai, është edhe kërkesë e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, për drejtuesit e koalicionit Veseli e Mustafa.
Por Haziri tha se aktualisht nuk ka as një kërkesë nga partneri i koalicionit PDK-ja, që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
“Ne e kemi një marrëveshje me PDK-në dhe ajo marrëveshje nuk është kërkuar që të diskutohet dhe as eventualisht të bisedohet për një skemë të re parazgjedhore. Përderisa nuk kemi, ne qëndrojmë në marrëveshjen e vjetër”, tha Haziri që aktualisht është kryetar i komunës së Gjilanit.
Duke folur për datat e përmendura shpesh në media si të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, Haziri tha se “kjo është jashtë marrëveshjes”.
“Nuk e di kur i bie dhe çka i bie 4 qershori. Nëse sot mund ta planifikojmë ose ta imagjinojmë ndonjë datë eventuale, pas mocionit të mosbesimit, janë 40 ditë që mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme ose me marrëveshje rishikohet data zgjedhore dhe në parlament propozohet një datë për zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ai.