Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, bëri të ditur se komunikimi ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje është në vazhdim, me synimin për të ndërtuar një bashkëpunim politik që do t’i siguronte vendit stabilitet institucional, transmeton Gazeta Metro.
Në deklarimin e tij për media, para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, Haziri u shpreh se procesi i konstituimit të legjislaturës do të zhvillohet sipas rezultatit të zgjedhjeve, ndërsa theksoi se diskutimet mes dy subjekteve politike janë ende në fazën e përcaktimit të parimeve të bashkëpunimit.
“Mësimi më i madh që duhet ta nxjerrim të gjithë është që 9 shkurti dhe 28 dhjetorit të mos përsëritet, në kuptimin e mosarritjes së bashkëpunimit, mosarritjes së marrëveshjeve, moszbatimit të vullnetit qytetar për zgjedhjet. Tani jemi në bashkëpunim me partinë e parë, jemi duke biseduar për të ndërtuar një marrëveshje funksionale në interes të agjendës së Republikës, ende jemi në nivelin e diskutimeve lidhur me parimet e një funksionit të një bashkëpunimi, i cili do të jetë i qëndrueshëm e do t’i japë vendit stabilitet. Sot do të konstituohet Kuvendi sipas rezultatit zgjedhor. Për këtë marrëveshje nuk ka”, tha Haziri./gazetametro.net