Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim këtë mëngjes, Vasfije Krasniqin-Goodman, gruan që doli publikisht dhe tregoi historinë e saj të dhunimit gjatë kohës së luftës, transmeton gazetametro.net.
Haradinaj ka thënë se Vasfija mposhti heshtjen dhe u kryengrit kundër aktit më çnjerëzor, duke u bërë model i shoqërisë sonë për të guxuar.
Kryeministri gjithashtu ka përgëzuar atë për guximin e përmasave heroike duke shtuar se të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës e kanë tërë mbështetjen dhe nuk duhet të ndihen të vetme në këtë betejë për drejtësi.
Postimi i plotë:
Vasfije Krasniqi, mposhti heshtjen dhe u kryengrit kundër aktit më çnjerëzor, duke u bërë model i shoqërisë sonë për të guxuar. Ajo i dha zë të vërtetës dhe forcë të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës për të dëshmuar. Rrëfimi i saj, si pasqyra më reale e përjetimeve tragjike të popullit tonë, është shtysë e fuqishme për ngadhënjimin e drejtësisë dhe që ta njoh bota të vërtetën e Kosovës. Mëngjesin e sotëm, këtë grua të jashtëzakonshme, e përgëzova për guximin e përmasave heroike. Të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës e kanë tërë mbështetjen tonë dhe asnjëherë nuk duhet të ndihen të vetme në këtë betejë për drejtësi.
RH