Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim zyrtar në qytetin shqiptar të Shkodrës.
Haradinaj është pritur nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi dhe bashkëpunëtorë të saj, transmeton gazetametro.net
Haradinaj bëri homazhe te shtatorja e heroit kombëtar, Isa Boletini, dhe tha se ishte i emocionuar me këtë vizitë në Shkodër.
Kryeministri e cilësoi Shkodrën si adresë të shqiptarisë.
“Jam vërtetë i prekur dhe i emocionuar të jem në Shkodër, në adresën e kombit, në adresën e shqiptarisë, në vendin i cili na ka bërë krenarë dhe na ka bërë të mburremi ndër shekuj për atë që jemi, pra që jemi shqiptarë”, tha Haradinaj, duke e falënderuar kryetaren Voltana Ademi dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë për pritjen, dhe shtoi se ndjehet i vlerësuar me shpalljen “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Shkodrës në vitin 2017.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka falenderuar kryeministrin Haradinaj për vizitën e tij, duke e cilësuar si vizitë historike për qytetin e Shkodrës.
“Unë ju falënderoj për vizitën dhe shpresoj se do të kemi mundësinë që të marrim disa iniciativa edhe në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe të disa ngjarjeve kombëtare për Shqipërinë dhe Kosovën”, tha kryetarja Ademi, duke e cilësuar vizitën e kryeministrit Haradinaj historike për qytetin e Shkodrës.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi është propozuar edhe renovimi i shtëpisë muze ”Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” për të cilën u tha se do të ketë vëmendjen e të dyja institucionet e dy vendeve.
Haradinaj ka vizituar edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë, ”Marubi”.
Kryeministri kosovar tha se është i kënaqur me këtë vizitë në këtë qytet, që dikur ishte pika jonë lidhëse me qytetërimin.
“Jam i kënaqur që jam në Shkodër, një vend i mirë, i njerëzve të mirë dhe vlerë e mirë e shqiptarëve. Dikur, pika jonë lidhëse me civilizimin, pra me këtë ndjenjë po largohem nga Shkodra”, tha kryeministri Haradinaj, në fund të vizitës së tij. /gazetametro.net