Loading…

Haradinaj: Kurti po tallet me popullin, merr vendime ku lejon rritjen e deveve e prodhimin e anijeve kozmike

  • 18/04/2020 | 13:34

Haradinaj: Kurti po tallet me popullin, merr vendime ku lejon rritjen e deveve e prodhimin e anijeve kozmike

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për të marrë pjesë në një tryezë lidhur me pandeminë COVID-19, shkruan Gazeta Metro.


Haradinaj i ka thënë Kurtit se deri tani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me disa vendime duke e cenuar të drejtat e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Ai ka thënë se Kurti është vetëm një mashtrues që u tall me popullin me disa vendime ku parashihet rritja e deveve dhe prodhimi i anijeve kozmike.

Po ashtu Haradinaj tha se për lojëra politike ai nuk lejoi shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe me qasje paranoike bëri disa veprime para qytetarëve.

Krejt në fund kreu i AAK’së ka thënë që me kënaqësi nuk merr pjesë në tryeza të vonuara që janë dashur të mbahen para 1 muaj e gjysmë nga Kurti, shkruan Gazeta Metro.

Më poshtë e keni të plotë pa ndërhryje reagimin e Haradinajt:

Të dashur qytetarë,

Përmes kësaj letre i jam përgjigjur ftesës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për pjesëmarrje në tryezën lidhur me pandeminë Covid-19.

Letra ka përmbajtjen si në vijim:

Z. Albin Kurti
Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës

Si përgjigje në shkresën tuaj të datës 17.04.2020, me numër protokolli 124/2020, më lejoni që të theksoj se tani e një kohë kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën e menaxhimit të pandemisë nga Qeveria e shkarkuar, që Ju e udhëheqni, deri në krijimin e Qeverisë së re.

Paraprakisht, ua bëjë me dije se, ne vazhdimisht kemi qenë të zëshëm dhe në përkrahje të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, dhe ishte befasuese qasja juaj paranoike, e nxitur nga lufta politike, e cila ka vënë në rrezik të plotë shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

Gjendja e jashtëzakonshme do të mobilizonte të gjitha resurset e vendit, duke përfshirë kapacitetet e nevojshme njerëzore, ekspertizën gjithëpërfshirëse si dhe resurset relevante për menaxhimin e nevojshëm, efektiv dhe të suksesshëm ndaj pandemisë COVID-19.

Për më tepër dhe si konfirmim i hapave tuaj të gabuar, kam shprehur mospajtimin tim me masat dhe vendimet tuaja për kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe lirive tjera themelore të cilat edhe Gjykata Kushtetuese i gjeti si jokushtetuese.

Veprimet tuaja si shkelës recidivist i Kushtetutës me ridefinimin dhe vazhdimin e marrjes së vendimeve, që kufizojnë liritë dhe të drejtat themelore, janë duke e dëmtuar rëndë demokracinë, duke i cenuar thellësisht të drejtat e njeriut, si dhe ligjshmërinë e kushtetutshmërinë në Republikën e Kosovës.

Të kujtoheni, që pas më shumë se një muaj e gjysmë gjendje emergjente, të thërrisni tryezë debati lidhur me pandeminë, me akterë institucionalë dhe përfaqësues të partive politike parlamentare, është dëshmi e qartë se ju jeni joserioz, anti-institucional dhe mashtrues. Për më tepër, pas shkarkimit me mbi 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju nuk e keni as legjitimitetin e nevojshëm për përgjegjësitë që ju pretendoni t’i ndërmerrni në përgjithësi.

Qasja dhe trajtimi me vendimet tuaja në raport me fushën e ekonomisë kanë kufizuar dhe rrezikuar qëndrueshmërinë e qindra bizneseve që i përkasin sektorit të ndërtimit, prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve. Joserioziteti juaj shpërfaqet edhe në dokumentet zyrtare, në të ashtuquajturin plan për “shpëtim ekonomik”, ku keni paraparë lehtësime në rritjen e gamileve dhe deveve, kultivimin e frutave tropikale dhe subtropikale, ndërtimin e anijeve dhe barkave dhe prodhimin e aeroplanëve dhe anijeve kozmike. Kjo është joserioze dhe një shaka me dashje në llogari të qytetarëve dhe operatorëve ekonomik në vend.

Ftesat tuaja për koordinim e bashkëveprim pas vendimeve të njëanshme që po rezultojnë të dëmshme e të dështuara, ju janë shndërruar në ritual lutje për falje dhe shpëtim. E dëshmove edhe në rastin kur hoqe taksën ndaj Serbisë pa asnjë nder e kundërvlerë, pa e përfshirë donacionin e djeshëm me 1000 teste serbe në formë lëmoshe, duke e nënçmuar Kosovën për paaftësi në raport me furnizimin e ligjshëm dhe të mundshëm në kohë përmes blerjeve të drejtpërdrejta apo donacioneve nga shtetet mike të Kosovës.

Përderisa ftesat tuaja janë të vona në kohë e në raport me zhvillimin dhe nuk janë të kualifikuara me legjitimitet institucional e politik, me kënaqësi ju njoftoj se nuk do të marrë pjesë asnjëherë në tryezat e tilla.//gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë