E plotësuar:
16:40 – Deputeti i AAK-së Rrustem Berisha tha se arsyet e mos transformimit të FSK-së në FAK janë politike dhe të njohura.
Berisha tha se është e domosdoshme të ndryshohet përmbajtja e ligjit për FSK-në, dhe në përmbajtje të saj të ndryshohet misioni dhe organizimi.
“Të gjithë ne duhet të jemi të bashkuar, t’i lëmë anash bindjet politike, dallimet dhe nuk duhet të kenë asnjë ndikim dallimet por të jemi unik në transformimin e FSK-së”, tha Berisha.
Haradinaj: FAK’u nuk duhet të shihet si kërcënim
Po mbahet debat parlamentar në lidhje me Forcat e Sigurisë së Kosovës, sipas kërkesës së deputetit Daut Haradinaj dhe deputetëve mbështetës.
Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj duke paraqitur fjalën e tij tha se pa marr parasysh se ka shumë gjëra që nuk pajtohen me këtë koalicion, janë të gatshëm të mbështesim në çdo moment transformimin e FSK-së në FAK. Haradinaj theksoi se FAK-u nuk duhet të shihet si kërcënim për askënd.
“FSK është duke pritur tash e sa vite ndryshimet kushtetuese dhe ato duhet të bëhen në Kuvend, por ju e dini sa është e vështirë, sepse e dini që për këto ndryshime duhen votimi i shumicës së dyfishtë. Duhet ta themi hapur problem na është bërë deputetët e Listës Serbe”, tha ndër të tjera Haradinaj.
Ai shtoi se nëse nuk mund ta ndryshojnë Kushtetutën, atëherë duhet të gjejnë forma tjera për formimin e ushtrisë, që sipas tij, është mundësia përmes ligjit të thjeshtë që FSK-ja të transformohet në ushtri.