Loading…

Haradinaj: Brenda javësh caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme

  • Nga

  • 30/12/2016 | 20:18

Haradinaj: Brenda javësh caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Gazeta Metro, ka bërë të ditur se shumë shpejt do të caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme. Për temën kryesore me të cilën ai është marrë gjatë këtij viti, Demarkacionin, Haradinaj ka thënë se po çuditet me kryeministrin Mustafa që po insiston në marrëveshjen aktuale, ku sipas tij edhe Mali i Zi do të ishte dakord për rishikim të saj.


Ka një kohë që kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj bashkë me deputetët e partisë që udhëheqë janë të angazhuar rreth çështjes së Demarkacionit, apo kufirit me Malin e Zi. I zëshëm po tregohet duke kërkuar që marrëveshja me shtetin fqinjë për matje territoresh të rishikohet dhe njëherë, pasi beson se nga marrëveshja e vjetër Kosova do humb një pjesë të territorit. Një rishikim i kësaj marrëveshje thotë se s’do t’i pengonte askujt madje as Malit të Zi, për të cilin Haradinaj është i sigurt. Por nuk po pajtohet me krijimin e komisionit shtetërorë, iniciuar nga kryeministri i vendit Isa Mustafa. Komisionin po e quan një improvizim të gabuar përderisa thotë se problemi i kufirit zgjidhet me negocim. Haradinaj duke folur në një intervistë për gazetën Metro, shfaq habinë e tij me idenë e kryeministrit, kur nga ana tjetër thotë se për versioni e tij dhe të AAK’së ka një gatishmëri për ndihmë edhe nga partnerët evropianë.

“Ky (kryeministri)  po shkon me një veprim të çuditshëm që është tepër i panevojshëm. Sikur me dashtë me pengu korrigjimin, apo me pas një qëllim që mos me lënë me u bo korrigjimi i kufirit. Mos me e lënë me u kthye kufiri në Qakorr e në Kullë. Matja është e pamundshme në situata kur nuk ki kuota, prej ku e mat. Na e dimë se nuk e kemi të shënuar kufirin me Serbinë, rasti i Karaqevës është i freskët dhe prandaj është e pakuptimtë kjo iniciativë e tij”, tha Haradinaj për gazetametro.net.

Nëse marrëveshja do të rishikohej apo korrigjohej dhe e njëjta do të votohej në Kuvendin e Kosovës për Haradinajn do të ishte një fitore e përbashkët me Malin e Zi, duke mohuar se me këtë shtet do të prisheshin marrëdhëniet siç pretendojnë zyrtarë të tjerë.

Krahas Demarkacionit dhe problemeve të tjera në Kosovë, që për të parin e AAK’së janë shumë, ai  përmend edhe ndërtimin e murit në veriun e Mitrovicës. Keqmenaxhimi dhe keqpërfaqësimi i Kosovës në dialog thotë se po ja sjellin të këqijat vendit por pret që më rezolutën e votuar në Kuvend muri të rrëzohet gjatë janarit. Për Haradinajn kjo punë vetëm se ka përfunduar. Por për të është e dhimbshme se Kosova po humb energji dhe kohë nga pakujdesia e përfaqësuesve në delegacion.

“Është logjik e gabuar. E tash gjithë ky mundi për diçka që nuk ka ekzistuar. Gjithë kjo energji e kohë, e gjithë këto situata. Duhet me qenë shumë të kujdesshëm delegacioni i Kosovës që përfaqëson Kosovën në Bruksel. Duhet me qenë të kujdesshëm të gjitha nivelet qeverisëse dhe të mos krijohen situata që s’kanë qenë, e pastaj gjithë atë energji me e hargju me i heq ato pengesa. Më mirë është me i pri përpara”, thotë Haradinaj për gazetametro.net.

Kreu i AAK’së e përmend si një të keqe në Dialogun me Serbinë edhe mostransparencën e përfaqësuesve të Kosovës në Dialog. Nëse delegacioni i Kosovës do të tregohej më transparent dhe do ta njoftonte Kuvendin e Kosovës për çdo marrëveshje edhe muri do të parandalohej. Për krejt këto fajin po e gjuan tek koalicioni PDK – LDK, që tashmë i ka dhënë epitetin si ‘e keqja e vendit’.

Madje kjo e keqe nuk beson se do të zgjas shumë. Haradinaj për gazetën Metro thotë se shumë shpejt vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Beson se kjo është çështje javësh.

“Nuk besoj se do të qëndrojë gjendja kështu. Zgjedhjet janë afër. Është çështje javësh. Është situatë e paqëndrueshme dhe shumë shtrenjtë i kushton Kosovës me qenë në këtë gjendje. Nuk ka kush që nuk është duke e paguar këtë gjendje. Të gjithëve po u kushton. Nëse e marrim planin regjional të jashtëm, jemi të dobët. Njohjet dhe anëtarësimi nëpër organizata e po ashtu edhe rendi ligji dhe siguria. Me mundi po duhet me e mbajt gjendjen. Nëse e shohim edhe planin ekonomik, nuk ka investime…është e dhimbshme gjendja. Kudo që hynë sot është e kushtueshme kjo gjendje dhe ky koalicion. Do të kemi shpejtë zhvillime”, paralajmëron i pari i AAK-së Ramush Haradinaj.

Kur foli për këto zgjedhje të shpejta, padyshim që Haradinaj e sheh AAK-në si fituese, por jo nëse në krahun e saj nuk e ka NISMA’n e Fatmir Limës, e ndoshta edhe Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit. Me të parën po qëndrojnë mirë dhe janë të kënaqur ndërsa me AKR-në mbetet për ta definuar marrëveshjen.

Kjo është hera e dytë që AAK brenda një kohe të shkurtër provon të ec e bashkuar me një parti tjetër. Edhe pse nuk i eci mirë kur u rreshtua në bllok bashkë me Vetëvendosjen dhe LDK-në. Haradinaj, shfaq një nostalgji sa i përket VLAN-it, duke treguar që ky koalicion ishte një formulë e ndryshimit të gjendjes. Për LDK’në e Isa Mustafën thotë se gabuan që u rreshtuan krah PDK’së, pasi që Haradinaj vlerëson se nuk u arritë asnjë ndryshim.

“Me VLAN’in ishin të kënaqur edhe qytetarët ndërsa me këtë koalicion të PDK’së dhe LDK’së i është shkaktuar vendit një traumë”, shprehet Haradinaj për gazetametro.net.

Ndërsa me Vetëvendosjen thotë së patën partneritet në vetëm në kundërshtimin e rreziqeve për vendin. Por ky partneritet siç e thotë edhe Haradinaj, nuk u kthye në një partneritet të ndërtimit të një platforme qeverisjeje.

Rrugët u ndanë edhe me Vetëvendosjen, por pret që ato të bashkohen me partinë e Behgjet Pacollit. Duke mos i diskutuar marrëdhëniet e mira që AAK ka me NISMA’n, kjo e fundit po ashtu është pajtuar që në zgjedhje mund të shkojnë bashkë me AKR-në. Haradinaj, është i sigurt që do dalë fitues nëse në zgjedhje shkojnë të tre bashkë.

“Nëse edhe ata (AKR) bashkohen në këtë kombinimin tonë, koalicionin tonë opozitarë atëherë mundemi ti fitojmë zgjedhjet dhe me e sjellë atë ndryshimin që e kemi synuar më herët e që një parti jashtë atyre që janë në pushtet t’i fitojë zgjedhjet dhe është e logjikshme që do të ishte një projekt shumë serioz në Kosovë”, shton tutje Haradinaj. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë