Loading…

Haradinaj: As me pushtetin, as me Vetëvendosjen

  • 02/01/2017 | 12:43

Haradinaj: As me pushtetin, as me Vetëvendosjen

Gjendja në Kosovë është shumë e vështirë dhe e vetmja zgjidhje për të dalë në situatë janë zgjedhjet e parakohshme.


Kështu mendon lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili në një intervistë për KosovaPress është i bindur se zgjedhjet do të ndodhin shumë shpejt ndonëse nuk thotë ndonjë datë të caktuar.

Në këtë intervistë ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Dukagjinit ka folur edhe për çështjen e Demarkacionit, Gjykatën Speciale, çështjen e veteranëve të luftës, murin në Mitrovicë, por edhe për ftesën që i është bërë për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur të Amerikës Donald Trump.

Në SHBA lideri i AAK-së tha se është i ftuar në mënyrë personale dhe se e ka ndërmend të shkojë posa të kryhen procedurat e vizës.

Haradinaj vitin që shkoi e ka quajtur vit të vështirë për vendin ndërkohë që të gjitha këto ngecje që ai i përmend ia faturon Qeverisë të tanishme PDK-LDK por fajtor kryesor e bën ish-kryeministrin dhe presidentin aktual Hashim Thaçin.

Haradinaj shpalos edhe strategjinë dhjetë vjeçare qeverisëse, por paraprakisht thotë se duhet të mbahen zgjedhjet ku sipas tij AAK së bashku me partnerët do t’i fitojnë ato zgjedhje.

Ndërsa thotë se asnjëherë nuk do të bëjnë koalicion me partitë në pushtet pasi që sipas tij ata nuk janë të interesuar që të vazhdojë kjo gjendje por të ndryshojnë e që sipas tij atë e kanë shkaktuar PDK dhe LDK.

“Jo nuk mendojmë me to koalicione. PDK është shkaktare e gjendjes në vend e nëse i kthehemi krejt vlerësimit të gjendjes PDK është në përgjegjësi gjatë dhe përgjegjësia bie mbi të, mbi udhëheqësit e saj, mbi bartësit e përgjegjësive. Por, edhe LDK është kontribuuese e madhe e përkeqësimit të gjendjes dhe kuptohet që për ne krejt veprimet tona politike është me ndryshu gjendjen e jo me vazhdu në gjendje të tillë”, tha Haradinaj.

Përveç me Nismën dhe AKR-në, Haradinaj e ka në plan që t’i bëjë ofertë edhe Lëvizjes për Bashkim pasi që siç tha ai bazohen në të kaluarën e tyre.

“Aleanca aktualisht ka 15 për qind. Bashkë me Nismën shkojmë mbi 20 për qind. Kemi menduar se në një rast partneriteti me AKR-në, do të ishim pretendent serioz me i fitu zgjedhjet me dal fitues i zgjedhjeve. Por ne prapë nuk mundemi t’i fitojmë zgjedhjet vet e prapë duhet me i ftu partitë shqipare se nuk guxojmë me rreziku Qeverinë vetëm me një qeveri të pakicës ta quajmë ashtu. Dhe jemi në këtë projeksion dhe nëse ndodh do të ishte një lajm i mirë për Kosovën. …. T’iu them të drejtën kemi një qëndrim më ndryshe për LB-në e respektojmë nga e kaluara atdhetare. Kolegët tonë qoftë Valoni qoftë Klinakët, Fadil Fazliun, etj i njohim nga e kaluara.. kështu që kemi respekt për ta. Nuk është e çuditshme për ndonjë partneritet me ta edhe pse ende nuk kemi vu ndonjë kontakt”, tha i pari i AAK-së.

Por edhe pse një kohë ishin bashkë në një bllok opozitar Haradinaj mendon se nuk e kanë në plan një partneritet me Vetëvendosjen. Arsyeja sipas tij është se me këtë Lëvizje janë ndarë rrugët vitin e kaluar kur ishin bashkë për të kundërshtuar gabimet që ka bërë Qeveria dhe sipas tij ato janë arritur.

Haradinaj tha se nuk do ta pranojnë asnjëherë shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi në këtë mënyrë siç është ndërsa vendimin për themelimin e një komisioni për matje të territorit e ka quajtur improvizim dhe se fajin për mos liberalizim të vizave siç tha Haradinaj e ka Qeveria.

“Gjendja në rend dhe ligj janë serioze dhe janë vlerësuar edhe në Raport të Progresit pastaj gabimet që kanë ndodhë edhe me rastin e demarkacionit me një marrëveshje të gabuar e nuk po korrigjohen me kohë me siguri e kanë bërë vonesën por përgjegjëse e vetme është Qeveria e vendit. Ne nuk jemi kundër Demarkacionit, ne kemi dëshirë që të përfundojë kjo marrëveshje por jo në versionin aktual që është i gabuar dhe ne kërkojmë korrigjimin. Nëse ndodhë korrigjimi dhe kthehet kufiri në pikat e veta në Qafë të Qakorrit, në Qafë të Kullës dhe nëpër majat e larta ne me gëzim e mirëpresim Demarkacionin ashtu siç bëmë edhe me ligjin për Trepçën. Ne kemi kundërshtuar një ligj të gabuar që e dobësonte dhe e tjetërsonte Trepçën dhe me gëzim e kemi votuar ligjin e fundit për Trepçën sepse ishte ne rregull. Nës e kryeministri, Qeveria dhe presidenti angazhohen që me i realizu korrigjimet me ra dakord me palën malazeze e neve na e sjellin në parlament ta votojmë marrëveshjen e drejtë për kufirin atëherë e votojmë”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së ka shpalosur edhe platformën qeverisëse 2017-2027, të cilën Kosova deri më tani nuk e ka pasur.

“Është një projekt i madh 2017-2027 e cila do të kërkojë ekspertizën e gjithë vendit jo vetëm të Aleancës por krejt të vendit dhe të Qeverisë. Do ta kërkojë edhe ndihmën e instituteve të ndryshme ekonomike të botës në mënyrë që strategjia të jetë ajo baza që bazohet zhvillimi. Pra jemi duke punuar në atë. Kjo e para që fola unë për platformën e gjendjes kryesisht identifikimi psh në rend dhe ligj te identifikimi i kuadrit që është më i devotshëm që ka ekspertizë dhe dhënia e përgjegjësive të njerëzve sa më të devotshëm sa më të ndershëm. Për shembull policëve pra një reformë në polici që u jep atyre përgjegjësi që vërtetë duan ta kryejnë punën e tyre me profesionalizëm dhe me nder, njëjtë është edhe te prokurorët dhe gjyqtarët. Pra ka Kosova prokurorë dhe gjyqtarë që duan ta zbatojnë ligjin pra dhënia e përgjegjësive dhënia e mundësive dhënia e përkrahjes për sistemin gjyqësor që mos të mbetet gjendja sikur që është sot me qindra mijëra dosje të pazgjidhura”, tha Haradinaj.

Në këtë platformë përfshihet edhe FSK-ja që sipas Haradinajt duhet të votohet në ushtri dhe për ta bërë këtë duhet gjetur rrugën e duhur.

Haradinaj përmend edhe problemet në ekonomi që sipas tij kanë dështuar e që ai thotë se këto janë bërë me qëllim.

Ai përmend dështimin në energji, dështimin në Trepçë, Brezovicë dhe resurse tjera që sipas tij do ta ndihmonin buxhetin e vendit. Ndërsa thotë se shëndetësinë po e udhëheq mafia politike.

“Pastaj mungesa e investimeve në vend duhet me pyet kush është përgjegjës pse nuk ka investime. Për shembull nëpër krejt regjionin operojnë kompanitë e mëdha të botës vetëm në Kosovë nuk ka. Për shembull pse diaspora jonë nuk investon. Në Gjermani, Zvicër, Amerikë diaspora jonë është duke i rrit investimet që shumicën e tyre duhet t’i bëjnë këtu e s’po i bëjnë. Në shëndetësi problemi i ‘netëorkeve’ me ilaçe e me një farë mafie po e shkatërron shëndetësinë. Pra një korrupsion që u krijua prej partiakëve jo prej mjekëve. Në arsim shumica të emëruar prej partive. Të emërohen ata që dinë se nuk është Kosova pa mësues e pa profesorë të zotë. Pra duam t’i japim përgjigje këtyre temave të qeverisë që kishim mujt me ndihmu gjendjen menjëherë, pra jo afatgjatë por tash. Grante japin pë r bujqësi, por shumë pak. Pra është një numër shumë i vogël i tyre e edhe në to ndodhin keqpërdorime. Ne duam ta rrisim këtë fond sepse janë që shkojnë direkt te njerëzit tanë. Bizneset e vogla dhe të mesme nuk i ka përfllë kush nuk ekzistojnë ato përveç me shku me mbledh tatimin. Duhet me fillu me grante”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për murin që tash së fundi është ndërtuar në Mitrovicë dhe pikërisht për të më 30 dhjetor të vitit që shkoi deputetët kanë votuar për një Rezolutë me anë së cilës parashihet që ai mur të rrënohet.

Për kreun e AAK-së është e dhimbshme që të mblidhet Parlamenti dhe të diskutojë për një mur që ka mundur të mos ekzistojë.

Sipas Ramush Haradinajt, këta që e përfaqësojnë Kosovën duhet të jenë vigjilentë në negociata në Bruksel që mos të lejojnë që kjo të ndodhë. Ai beson se ai mur do të hiqet sepse vendosja e tij në atë vend është gabim.

Duke folur për çështjen e veteranëve Haradinaj është shprehur kundër ndarjes së tyre në kategori ndërsa ka folur edhe për numrin e tyre që tash zyrtarisht janë 46 mijë.

Ai tha se nuk mund të flas për zonat tjera ndërsa për zonën që ka udhëhequr, pra në Dukagjin është i bindur se ka qenë një numër i madh i tyre.

Sipas ish-komandantit të UÇK-së në zonën e tij gati të gjithë kanë qenë të përfshirë në luftë, madje sipas tij ata vet i kanë ble armët dhe kanë qenë vet të organizuar.

Haradinaj ka dhënë komentet e tij edhe për Gjykatën Speciale e cila së shpejti pritet që të ngris aktakuzat e para. Ajo do t’i ndjekë vetëm krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së.

Sipas Haradinajt gjykata Speciale është e padrejtë sepse është jashtë Kosovës dhe është e njëanshme. E ai sërish fajin ia hedh keqqeverisjes e konkretisht Hashim Thaçit.

“Kemi kërkuar prej palëve në atë kohë që jo një gjykatë jashtë Kosovës dhe jo vetëm për shqiptar, por një gjykatë për krime lufte dhe një shpërblim për të gjitha viktimat sepse sot ki plot raste të masakrave shumë të mëdha që asnjëherë as që janë thirrë në hetim. Dhe është e çuditshme që Kosovës i ka ardhë kjo gjendje, por është si pasojë e keqqeverisjes, një ligj i dobët një gjyqësor jo kredibil bëjnë që Kosovës i thonë s’po mujm me ta besu. Kuptohet përgjegjës për këtë gjendje është zoti Thaçi. Ai ka udhëheq me vendin që nga pavarësia dhe mendojmë se ai e solli Kosovën në këtë gjendje sa mos me të besu që me i trajtu ligjet tona”, tha Haradinaj.

Haradinaj me këtë rast përmend arrestimet dhe dënimet e ish pjesëtarëve të UCK-së qëe sipas tij këto procese janë bërë monotone. Ai përmend rastin “Drenica” pastaj edhe rastin Limaj që sipas tij është një persekutim nga ana e drejtësisë.

I pyetur për gjuhën e kryeministrit në rrjetet sociale Haradinaj tha se ky fjalor i kryeministrit Mustafa po shihet me cinizëm jo vetëm nga vendorët por edhe nga ndërkombëtarët. Ai tha se do t’ia falnin këtë nëse do të ishte gjendja më e mirë.

Haradinaj shprehu shqetësim edhe për vendimet e fundit të Gjykatës së Arbitrazhit ku Kosova humb miliona euro me ato vendime.

Sipas Haradinajt, Kosova duhet të krijojë ekipe të specializuara që mbrojnë Kosovën që edhe ligjet t’i ndryshojnë për shumë tema dhe se Qeveria duhet ta mbrojë interesin e publikut dhe interesin e tyre kontraktues edhe me ligje.

Për fund ai tha se qytetarët e Kosovës duhet të besojnë në vete dhe në të drejtën në atë kush janë dhe në atë që do të janë dhe nëse ndodh kjo sipas tij do t’i përkrahin edhe miqtë.

AAK me partnerët po punojnë që ta bëjnë Kosovën dhe siç tha ai “sepse Kosova duhet me pas zot”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë