Loading…

Haraç emigrantit shqiptar, arrestohen dy të dyshuarit (Video)

  • 12/02/2017 | 13:37

Haraç emigrantit shqiptar, arrestohen dy të dyshuarit (Video)

Krimi në Shqipëri vazhdon të jetë në shkallë të lartë, edhe pse shteti ka filluar të veprojë, sikur në këtë rast. 


Një emigrant në Fier, ka vuajtur për një kohë të gjatë gjobëvënien nga dy persona të cilët donin ta “rripnin” duke i marrë vazhdimisht para.

Për dy muaj me radhë, ata arritën t’i plaçkitin rreth 35 mijë euro duke e paralajmëruar se gjobëvënia do të vazhdonte.

Mësohet se E.R., detyrohej t’i gjente paratë edhe borxh për t’iu përgjigjur në kohë dy personave, të cilët e kërcënonin se do të dëmtonin familjen apo edhe atë vetë.

Prej kaq muajsh, i dëmtuari, një emigrant i vetëpunësuar pas kthimit në atdhe, ka hezituar të tregojë sepse nuk ka dashur që të ketë probleme me dy gjobëvënësit e tij, por kur nuk ka mundur dot të sigurojë më para të tjera nga ato që i kërkonin, është detyruar të tregojë rastin në policinë e Fierit.

Një hetim policor i kryer mbi këtë fakt, rezultoi me të dhënat se në periudha të ndryshme kohore, Nezir Bullaku, 48 vjeç, dhe Afrim Berisha, 29 vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë duke e kanosur deri ditën e djeshme, shumën prej 31.500 euro këtij shtetasi.

Kurse dje, i përlanë edhe 3 mijë euro të tjera.

Policia tha se kreu një aksion për t’i kapur dy meshkujt e dyshuar nga Dërmenasi i Fierit dhe tha se në momentin e arrestimit, iu sekuestrua një shumë prej 3000 eurosh, të cilën sapo ia kishin marrë duke e kanosur, shtetasit të dëmtuar, E.R., banor i Fierit.

Dy të akuzuarit u arrestuan në flagrancë në ambientet e një lokali ku kishin lënë takim me emigrantin, i cili duhet t’u dorëzonte shumën e parave të kërkuara.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma prej 3000 eurosh, disa aparate celulare të përdorur nga të dyshuarit dhe një karikator arme zjarri të llojit pistoletë.

Një prej të arrestuarve, Nezir Bullaku, banues në Dërmenas, rezulton i dënuar më parë për vrasje në tentativë, vepër për të cilën detaje të tjera nga policia nuk jepen.

Policia tha se materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë