Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Halil Matoshi, ka vlerësuar se deklaratat rreth bashkimit Kosovë-Shqipëri bëhen vetëm për interesa politike dhe si të tilla janë tërësisht boshe.
Në një intervistë dhënë për Gazetën “Zëri”, Matoshi ka konsideruar se nuk duhet humbur kohë duke u marrë me të tilla deklarata.
Ndërkaq ka thënë se kombi kosovar, sikurse ai shqiptar, është krijuar me intervenimin e Perëndimit.
Pavarësisht kësaj, sipas Matoshit, Serbia i njeh si komb vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por jo edhe ata të Kosovës.
“Politika serbe i njeh si komb vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, ndërkaq, shqiptarët e Kosovës i sheh si pakicë etnike”, ka deklaruar ai. Tutje, Matoshi ka thënë se kombi kosovar e ka në pronësi të vet shtetin kosovar.
Ndërkohë, gjatë intervistës për “Zërin”, ai ka theksuar se tani Kosova përbën një komb të ri.