Hajdutët kanë vjedhur 30 mijë shishe verë, me një vlerë totale prej rreth 5 milionë eurosh, nga një kantinë prestigjioze italiane, raportojnë mediat italiane.
“Marchesi Antinori”, një nga kantinat më të mëdha italiane në pronësi familjare, bëri të ditur se vjedhja në magazinën e saj në Toskanë ndodhi të shtunën, ndërsa kompania po përgatitej të dërgonte një ngarkesë te klientët jashtë vendit.
Dyshohet se të paktën shtatë persona të maskuar çaktivizuan alarmet, neutralizuan kamerat dhe përdorën pirunët ngritës të kompanisë për të ngarkuar dy kamionë të mëdhenj me verërat e çmuara toskane të kuqe të markës: Tignanello, Solaia dhe Guado al Tasso.
Renzo Cotarella, drejtori ekzekutiv, deklaroi për gazetën “Corriere della Sera” se kjo ishte vjedhja më e madhe e këtij lloji në Itali.
“Një vjedhje e këtyre përmasave dhe vlerës nuk ka ndodhur kurrë më parë në Itali,” tha ai.
Ai shtoi se shpresonte që autoritetet të arrinin të gjurmonin verën e vjedhur.
“Dy kamionë plot me mall nuk mund të zhduken thjesht në ajër. Rrugët e Toskanës janë të mbushura me kamera; ndoshta me pak fat do të mund të rikuperojmë të paktën disa nga shishet që na janë vjedhur.”
Ai tha për “Financial Times”: “Këto verëra kanë një vlerë të madhe dhe nuk e di se si mund ta shesin gjithë këtë verë nëpër botë pa u diktuar.”
Kompania beson se përzgjedhja e shisheve – të cilat zakonisht shiten me çmime që variojnë nga 150 deri në 500 euro secila – sugjeron se hajdutët ishin njohës të verës dhe dispononin informacione të brendshme.
Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur stafi mbërriti në vendngjarje. Nuk janë kryer arrestime.
Kompania “Marchesi Antinori” është themeluar në vitin 1385 dhe eksporton në 170 vende. Vitin e kaluar, ajo regjistroi të ardhura prej 263 milionë eurosh.
Këtë vit në Itali është shënuar një valë vjedhjesh vere, përfshirë dy raste në rajonin verior të Piemontit, ku raportohet se janë vjedhur shishe me vlerë qindra mijëra euro.