Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn ka deklaruar me rastin e lëvizjeve të fundit të qeverisë serbe në lidhje me Kosovën dhe retorikën e njerëzve udhëheqës e cila shumicën e njerëzve i përkujton vitet e nëntëdhjeta, se Kosova dhe Serbia duhet të shikojnë përpara.
“Ata nuk duhet të rrezikojnë atë që është arritur në dialog. Duhet të shikojnë përpara, e jo mbrapa”, ka thënë Hahn.
Në pyetje a është Serbia ajo që po shikon mbrapa, ai u përgjigj:
“Të gjithë ata nuk shikojnë përpara, shikojnë mbrapa”, transmeton gazetametro.net.
Më 13 janar nga Beogradi për në Mitrovicë u nis treni posaçërisht i stolisur në të cilin shkruante “Kosova është Serbi”, gjë që shkaktoi revoltë të autoriteteve kosovare.
Ministrja për dialog në Qeveri, Edita Tahiri kërkoi nga Bashkësia Evropiane që të ndaloj hyrjen e trenit ilegal serb në Kosovë, me vlerësim se Beogradi me futjen e kësaj linje dëshiron të kërcënojë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Kosovës.
Nga ana tjetër, kryeministri serb Aleksandar Vucic, i ka thënë gazetarëve të shtunën mbrëma gjatë pauzës së mbledhjes urgjente të zyrës për koordinimin e shërbimit të sigurisë, se ka urdhëruar që të ndalet treni në mënyrë që të ruhen jetët e qytetarëve dhe se ka parandaluar konfliktin me përmasa të gjëra.
Ai pretendoi se forcat speciale të shqiptarëve kanë tentuar që të minojnë hekurudhën dhe se shqiptarët kanë dërguar 17 autoblinda të tipit “Kobra” me njësit speciale ROSU në veri të Kosovës pa lejen e NATO’a e as të dikujt tjetër, “me dëshirë që të provokojnë konflikt” dhe “të fillojnë konflikt të përmasave të gjëra” në atë pjesë të territorit, transmeton gazetametro.net.
Vucic i paralajmëroi shqiptarët që mos të provojnë të sulmojnë me armë serbët në Kosovë sepse Serbia nuk do të lejojë këtë.
“Ai që mendon të intervenoj kundër serbëve dhe të vras serbët, e ka lutjen time të fundit që këtë mos ta bënë. Dhe le të kuptojnë shumë mirë se çka iu kam porositur. Lutja ime është që të mos vrasin serbët pasi që ne do të mbrojmë popullin tonë”, ka thënë Vucic.
Kryetari serb, me këtë rast, në pyetje të gazetarëve se a është Serbia e gatshme të dërgoj ushtrinë e vet në Kosovë, të dielën u përgjigj:
“Nëse vriten serbët, po, jo vetëm ushtria, por të gjithë do të shkojmë. Ja, unë i pari shkoj. Nuk e kam për herë të parë”. /gazetametro.net.