Sot në Maqedoni po mbahet seanca e Gjykatës së Apelit, në të cilën shqyrtohen ankesat e Grupit të Kumanovës, të cilët janë dënuar me burg për ngjarjet në Lagjen e Trimave, transmeton Gazeta Metro.
Seanca ka filluar e tensoniuar dhe me një minutë heshtje për pjesëtarët e vdekur nga Grupi i Kumanovës.
Fjalën në emër të Grupit të Kumanovës e kërkoi Geni Sefa, i cili më pas së bashku me të akuzuarit tjerë kërkoi që të lexohet deklarata e përbashkët e tyre, por nga gjykata u paralajmëruan se janë në seancë publike, e jo në gjykim. Pas kësaj, pjesëtarët e Grupit të Kumanovës kërkuan që gjykatësja të flet shqip.
“Katër vjet presim të flasim. Kërkojmë hetim ndërkombëtar, nuk jemi të kënaqur nga avokatët, një vit nuk kemi pasur komunikim. Kjo është Shqipëri, ne jemi autokton”, kanë thënë disa nga të akuzuarit në seancë.
Pasi gjykatësja nuk ju lejoi të lexojnë deklaratën e përbashkët, ata u çuan në këmbë dhe kërkuan të lëshojnë seancën, ndërsa gjykatësja i lejoi pasi prania nuk është e detyrueshme.
Seanca në Gjykatën e Apelit do të vazhdojë sot dhe nesër pa praninë e disa të akuzuarve. Ndërsa ankesat e tyre do t’i përfaqësojnë avokatët e tyre.