Sot në Komunën e Prishtinës është mbajtur një grevë nga Punonjësit e Drejtorisë së Arsimit duke shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me pagat që marrin.
Ndërsa, Arbërie Nagavci, shefja e Arsimit të Prishtinës ka thënë se është në dijeni për grevën e këtyre punëtorëve, dhe tregoi se kërkesën për rritje të koeficientit të pagave për këta punëtorë e kanë paraqitur edhe te kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, i cili të njëjtën e ka dërguar edhe në Ministri të Financave, por është refuzuar.
“Zyrtarët e Arsimit ka kohë që e kanë paraqitur kërkesën për ngritje të koeficienti, e cila për mendimin tim është një kërkesë legjitime sa i përket punës dhe angazhimeve që ata i bëjnë çdo ditë. Por kjo i tejkalon kompetencat tona kërkesën e zyrtarëve dhe mbështetjen tonë. Sigurisht e kemi paraqitur edhe para kryetarit të Komunës Shpend Ahmeti, i cili ka dërguar një kërkesë në Ministri të Financave për ngritjen e pagës për një numër, jo vetëm për zyrtarët e Arsimit, por për punëtorët e komunës së Prishtinës”, ka thënë Nagavci.
Punëtorët grevistë i ka vizituar edhe një përfaqësues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, për të parë nga afër gjendjen dhe kërkesat e tyre.
Nënkryetari i SBASHK-ut Lutfi Mani ka thënë se janë të njoftuar se këta punëtorë i janë drejtuar komunës që nga viti 2013 që të zbatohet ligji mbi pagat, ku paguhen në bazë të koeficientit dhe se komuna u ka thënë se kjo çështje do të rregullohet.
“Grevën po e mbajnë punëtorët e sektorëve arsimit të komunës së Prishtinës për shkak të pagave. Këta që nga viti 2013 iu kanë drejtuar komunës me kërkesë që të zbatohet Ligji mbi Pagat që është për shërbyes civil ku paguhen në bazë të koeficientit ashtu si e parasheh ligji dhe të kenë paga të barabarta me komunat e tjera. Kjo protestë do përfundoj atëherë kur plotësohen kërkesave tha Mani./gazetametro.net