Loading…

Gratë u goditën nga pandemia, 72 përqind prej tyre dëshirojnë të punësohen jashtë vendit

  • 29/07/2021 | 15:53

Gratë u goditën nga pandemia, 72 përqind prej tyre dëshirojnë të punësohen jashtë vendit

Derisa më shumë se shumica e grave në Kosovë është jashtë tregut të punës, pandemia ka goditur edhe ato që më herët ishin në marrëdhënie pune. Në Prishtinë gratë u goditën nga pandemia, duke lënë 10 përqind të tyre të papuna për gjashtë muaj deri në 1 vit, e krahasuar me burrat që ka qenë shifra prej 4 përqind. Theksi vendoset në mungesë të sigurisë dhe shëndetit në punë, ku një numër i madh rrezikohen në hapësirat e punës. Ndërkohë, mbi 70 përqind e tyre preferojnë të dalin jashtë vendit.


Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) ka lansuar sot raportin “Perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve në rajonin e Prishtinës”, ku janë anketuar 200 gra dhe burra në rajonin e Prishtinës, me qëllim që të informohen vendimmarrësit dhe qeveria mbi politikat kryesore sociale dhe të mirëqenies.

Në prezantimin e këtij raporti, Mrika Sefaj nga IKS tha se ushqimet dhe furnizimet shtëpiake zënë midis 10 deri në 80 përqind te kostove të familjare. Ndërkohë që të ardhurat mesatare të familjes të shpenzuara për këtë kategori shpenzimesh janë 45,5 për qind.

“Një numër jashtëzakonisht i lartë i të anketuarve femra nuk janë punësuar në 6 muajt deri në 1 vit të fundit, duke pohuar se pandemia ka goditur ato më së shumti prej 43,5 përqind. Gratë gjithashtu përbëjnë shumicën e punëtorëve në sektorët e shërbimeve ku prezenca fizike, si puna në hotele, dyqane dhomash dhe të tjera, janë ndikuar më shumë nga pandemia. Gjithashtu për gratë që kërkojnë ka dy herë më shumë gjasa të jenë jashtë tregut të punës se sa burrat”, ka njoftuar ajo.

Mbi 25 përqind e grave mendojnë se njohja e dikujt është kërkesa e vetme e nevojshme për të gjetur një punë në sektorin publik, ndërsa mbi 4o përqind e burrave thonë se duhet të paguajnë ryshfet për punësim në këtë sektor.

Veç tjerash, më shumë se shumica e grave dhe të rinjve preferojnë të punësohen jashtë vendit.

“Perceptimi i nepotizmit kur flasim për perspektiven e punësimit në sektorin privat mbetet tejet i lartë. 77,8 përqind e burrave besojnë se nuk kanë miq në pozicione të rëndësishme, 25,9 përqind e grave mendojnë se kualifikimet e tyre nuk përputhen me tregun e punës dhe 22,2 përqind nuk kanë gjetur një punë me aftësi apo me profesionin e tyre. E gjetur interesante del të jetë se gratë dhe të rinjtë që në përqindje dukshëm më të lartë prej 72 përqind dhe 71 përqind e të rinjve preferojnë të punësohen jashtë vendit, në krahasim me burrat të cilët kanë interesim më të ulët prej 45 përqind për punësimin jashtë vendit”, ka shtuar ajo.

Ajo çfarë mbetet shqetësuese janë mundësitë që kanë gratë dhe burrat në Kosovë për të dalë jashtë vendit ose për aktivitete tjera, marrë parasysh pagat e ulëta.

“68 për qind e të anketuarve në model raportojnë se kurrë nuk kanë qenë në kinema, ndërsa 78,5 përqind e tyre raportojnë se kurrë nuk shkojnë në teatër. Po ashtu, 65,5 përqind e të anketuarve nuk shkojnë kurrë në palestër. 68,9 përqind nuk vizitojnë kurrë ekspozita apo të marrin pjesë në koncerte. 65,5 përqind nuk marrin pjesë në ngjarje sportive dhe 23 përqind e të anketuarve raportojnë se nuk kanë udhëtuar kurrë jashtë vendit”, u tha më tej në këtë raport.

Drejtoresha e IKS, Brikenë Hoxha theksoi se janë të përkushtuar në drejtat e grave, dhe se po punojnë që politikave publike t’iu ofrojnë të dhëna empirike.

“Dialogu social i negociatave kolektive dhe aspektet tjera po aq të rëndësishme të drejtësisë sociale, janë pjesë qendrore e veprimtarisë së IKS-it. Mbetet pjesë e preferuar e jona dhe e IKS-it theksimi që çka vlerësojmë dhe çka punojmë, mbetet dialogu social pasi që është proces që marrin pjesë të gjithë akterët. Për të ndikuar pozitivisht në këtë proces, IKS u përpoq të kontribuonte në përfshirjen e të gjithë partnerëve duke rritur cilësinë dhe intensitetin e dialogut, e tërë kjo e përcjellur edhe me ndërgjegjësimin e publikut të gjerë”, ka thënë Hoxha.

Shefi i zyrës së UNOPS-it, Brendan Keirnan ka theksuar se ndërveprimi shoqëror është qenësor për ndryshimin e politikave.

“Unë mendoj se të kuptuarit e perceptimit të qytetarëve është qenësor për formimin e politikave që më pas u lejojnë qytetarëve të kenë të drejtën për një punë të denjë, të kenë kushtet për të siguruar jetesën, dhe mendoj se në këtë drejtim duhet bërë më shumë në Kosovë. Në thelb, kjo është ajo që ka të bëjë me këtë projekt, ne jemi vetëm duke përfunduar vitin e dytë nga katër sa janë, dhe mendoj se puna në terren është kryer, gjë që është shumë e rëndësishme, me mbështetjen e të gjithë akterëve dhe veçanërisht me partnerët, fokusi i dialogut, i ndërveprimit shoqëror është qenësor për ndryshimin e politikave”, ka theksuar ai.

Menaxherja e projektit të UNOPS, Visare Gorani theksin në aksidentet e mëdha që po ndodhin në vendet e punës.

“Rastet kur aksidentet janë evidente në vendet e punës, themi mënyra e qasjes mbetet, askush nuk e dinë në çfarë mënyrë punëdhënësit i trajtojnë aksidentet, a ka ndonjë protokoll ku të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë edhe dëmshpërblim dhe të shikojnë se si mbështetet pastaj edhe familja e tyre. Kemi pasur raste ku papunësia e grave është shumë e lartë, ndër më të lartat në Evropë dhe mendoj që diku 80 për qind e grave janë jashtë tregut të punës. Pra, as nuk kanë kërkuar kurrë punë. Mbetet një barrë e punës, e nëse rrjedhimisht ai person e mban familjen aksidentohet në vendin e punës, në mënyrë goxha të drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e familjes hyjnë në këtë grackë të varfërisë”, u shpreh ajo.

Edhe Avni Ajdini nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka theksuar se siguria dhe shëndeti në punë mbetën sfidë për vendin.

“Siguria dhe shëndeti në këtë drejtim është shumë e plogësht, po edhe çështja sociale është fundamentale për të cilën duhet të punojmë bashkërisht për sa më tepër ta bëjmë ngritjen dhe zhvillimin ekonomik[…]Punëtorët, pagën minimale prej vitit 2011 nuk e kanë lëvizur nga vendi fare, duke u bazuar në 170 euro. Edhe pse ka pasur premtime në të kaluarën edhe të tashmen, të sotmen nuk ka lëvizje. Për atë arsyeje po them që kemi mjaft çka diskutojmë, por duhet të punojmë shumë më tepër se sa të diskutojmë”, ka deklaruar Ajdini.

Drejtori i Institutit për Politika Sociale, Visar Ymeri tha se një prej formave më të mira që të rritet dinjiteti i punëtorëve është Fondi i Papunësisë.

Ndryshe, anketa dhe ky raport janë pjesë e projektit “Mbështetje për koalicionin e drejtësisë sociale”, i cili është brenda kornizës së projektit të UNOPS “Nxitja e punës së denjë përmes forcimit të menaxhimit të SSHP dhe dialogut social në Kosovë”.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë