Sejdi Zeqiri, komandant i Policisë së Kosovës në Obiliq, është pastruar nga “historia kriminale” për të cilën kishte vendim të formës së prerë. Ai ishte dënuar nga tri shkallë të gjykatës.
Rreth katër vjet pas dënimit, lënda e Zeqirit ishte kthyer në riprocedim penal. Gjykata Supreme ia kishte mundësuar kthimin në rigjykim të veprave penale për të cilat ishte dënuar vetëm kur ato ishin parashkruar e që nuk kishin mundësi ligjore të gjykoheshin përsëri. Zeqiri siç shkruan sot Koha Ditore, ishte dënuar për keqpërdorim seksual, keqpërdorim të detyrës zyrtare e keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare.
Ndonëse për të nuk është dëshmuar kurrë pafajësia, pasi që parashkrimi i lëndës nënkupton vjetërsim absolut të rastit, Zeqiri është kthyer në pozitën e komandantit të Policisë në Obiliq.
Policet, të cilat e kishin denoncuar për keqtrajtim seksual e keqpërdorim të detyrës zyrtare, tani do të jenë nën mbikëqyrjen e tij. Zeqiri pritet të marrë edhe të gjitha pagat në mënyrë retroaktive që nga viti 2009, kur ishte pushuar nga puna për shkak të ngritjes së aktakuzës.