Forma juridike e këtij propozimi, e mbështetur në ligjet dhe praktikat ndërkombëtare, le të bëhet nga ekspertët. Por besoj se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mund të aprovonin të paktën një rezolutë, nëse jo edhe ligjin përkatës.
Nga Shkëlzen Maliqi:
E kam një ide për shqyrtim: pasi që Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë nuk mund të zhbëhet lehtë, le të shohim a duhet dhe a mundet Kuvendi i Kosovës, që e themeloi atë, të aprovojë zgjerimin e Dhomave, duke krijuar edhe një Dhomë tjetër që nuk do të jetë e detashuar në Hagë, por selinë do ta kishte në Kosovë.
Qëllimi i kësaj Dhome shtesë do të ishte korrigjimi i një mangësie evidente të punës së deritashme të Gjykatës Speciale. Kur u krijua kjo Gjykatë, është thënë se ajo do të hetojë dhe procesojë të gjitha krimet e luftës në Kosovë, jo vetëm krimet e shqiptarëve, më saktësisht të disa udhëheqësve më të spikatur të UÇK-së. Megjithatë, në procedimin e parahetimeve dhe pas themelimit të Gjykatës Speciale, i gjithë procesi është përqendruar në krimet e supozuara kundër njerëzimit që i ka raportuar Dik Marti në raportin e tij para Këshillit të Evropës, duke e theksuar sidomos trafikimin e organeve si krim më makabër, ku përgjegjësia komanduese i atribuohej “grupit të Drenicës”, që gjatë luftës përbënin bërthamën e Shtabit të UÇK-së. Duke u marrë vetëm me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, pas një procesi të stëzgjatur dhe me shumë parregullsi dhe arbitraritete në trajtimin e të akuzuarve, më 16 shtator ata u shpallën fajtorë dhe iu shqiptuan dënimet drastike, që mund të apelohen, sepse ka shumë arsye dhe argumente për t’i zhvlerësuar ato.
Thirrjet për zhbërjen e Gjykatës Speciale, e cila nuk ka pasur asnjë instancë kontrolli nga themeluesi, në të gjitha aspektet ka qenë gjykatë ndërkombëtare dhe e njëanshme, janë të arsyeshme, por vështirë mund të realizohen edhe proceduralisht nga Kuvendi, ku do të duhej të votohej nga 2/3 e deputetëve në tërësi, dhe 2/3 e deputetëve serbë, por edhe për shkak të pengesave nga ana e instancave ndërkombëtare, sidomos BE-së.
Për këtë arsye propozoj që Kuvendi të amandamentojë ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale, duke konstatuar se ajo nuk e ka përmbushur misionin për të cilin është themeluar, që të hetohen dhe procesohen të gjitha krimet e luftës në Kosovë, ku shumica dërrmuese e tyre nuk është hetuar dhe procesuar.
Në të vërtetë, Tribunali për krimet e luftës në Jugosllavi, pjesërisht i ka trajtuar krimet e luftës në Kosovë, por duke u përqendruar vetëm në kriminelët e mëdhenj, qeveritarët dhe gjeneralët që kanë dhënë urdhrat, ndërkaq që shumica e ekzekutorëve dhe vrasësve të drejtpërdrejtë janë lënë që të shqyrtohen dhe procesohen në gjykatat për krimet e luftës në trojet dhe shtetet respektive ku ato kanë ndodhur.
Në Kosovë, nga disa qindra masakra, Serbia i ka gjykuar vetëm pesë sosh, tri të përfunduara dhe dy në zvarritje të përhershme. Janë së paku 300 raste të dokumentuara me emra të viktimave, në disa raste edhe të vetëdorësve ekzekutorë të krimeve të luftës, që gjykatat e Serbisë nuk i kanë procesuar dhe mund dhe duhet të procesohen në Kosovë. Një Dhomë e re e Gjykatës Speciale do të mund të bëhej me plotë meritë Gjykata për Krimet e Luftës e Kosovës, zgjatim i Gjykatës Speciale me amandamentimin e ligjit tashmë të aprovuar.
Kryegjykatësi i Speciales, Charles Smith, pas shqiptimit të dënimeve, menjëherë i ka nisur procedurat për lartësinë e kompensimeve për viktimat e krimeve të luftës ose familjarët e tyre.
Kjo shtron pyetjen: a janë dhe si do të kompensohen viktimat e krimeve ndaj shqiptarëve, që janë të paktën 30-fish më të mëdha se ato ndaj serbëve?! A duhet të procesohen krimet masive ndaj civilëve që janë vrarë në Kosovë dhe janë varrosur ose edhe rivarrosur në Serbi? Rasti më drastik është varreza masive në poligonin e policisë të Serbisë në Batajnicë, te Beogradi; dihen 750 viktimat me emra, që Serbia nuk i ka trajtuar fare, dhe Gjykata Speciale e Kosovës do të mund të kërkonte nga Serbia ekstradimin e kriminelëve që janë vrarë në Kosovë, dhe të caktonte dëmshpërblimin për secilin prej tyre. Ose rasti i masakrës në burgun e Dubravës, si krim shtetëror, ku Serbia do të duhej të dinte kush kanë qenë rojet dhe ekzekutorët, dhe asgjë s’është ndërmarrë. Pse nuk gjykohen në Kosovë këto dhe shumë raste të tjera, pasi që krimet janë bërë në Kosovë? Le të jetë përbërja e Dhomës shtesë të Gjykatës Speciale në Kosovë me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por ato janë krime makabre, gjenocidale në tentim; dikush duhet të kujdeset për vendosjen e drejtësisë për të gjitha krimet në Kosovë.
Shtrohet pastaj edhe çështja e reparacioneve të krimeve të luftës të përmasave të mëdha, të plaçkitjes së ekonomisë, fondeve pensionale, të shkatërrimit dhe dëmtimit të 120 mijë shtëpive, që i kanë konstatuar organet hetuese të UNMIK-ut pas luftës.
Ky propozim i imi është vetëm një draft, që shkon përtej kërkesave aktuale të arsyeshme që të korrigjohet padrejtësia ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, e ku gjykatësi Smith sikur paralajmëroi edhe burgosje të reja dhe gjykime të atyre komandantëve lokalë të UÇK-së që dyshohen si ekzekutorë të krimeve.
Sa për zgjerim të tillë, ku Kuvendi ynë nuk i ka instrumentet e kontrollit e as që nuk pyetet fare për zgjerime, dhe ku, si duket, bëhet fjalë për rastet që më herët janë procesuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i, le të zgjerohet atëherë Gjykata Speciale në drejtimin që vendos drejtësi për kriminelët e luftës që kanë realizuar planin “Potkoji” dhe thirrjet e përsëritura të ekstremit klero-fashist serb që “të gjithë shqiptarët e Kosovës të vriten dhe dëbohen përtej Bjeshkëve të Nemuna” (deklarata e Vojislav Sheshelit para hotelit Grand, në vitet e ’90-ta).
Forma juridike e këtij propozimi, e mbështetur në ligjet dhe praktikat ndërkombëtare, le të bëhet nga ekspertët. Por besoj se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mund të aprovonin të paktën një rezolutë, nëse jo edhe ligjin përkatës.