Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për këngëtarin Jozefin Marku dhe shokun e tij, Kristian Nikolli, të ndaluar në kuadër të hetimeve për dhunimin e Eduard Kuçit.
Vendimi vjen pasi Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar “arrest me burg” për të dy të dyshuarit.
Marku, këngëtar dhe ish-banor i “Big Brother VIP Albania”, dyshohet se së bashku me persona të tjerë ka dhunuar 26-vjeçarin Kuçi, ish-banor i “Big Brother VIP Kosova”.
Pamjet e konfliktit u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale. Sipas materialit, përplasja ishte paraprirë nga një video e publikuar nga Kuçi, në të cilën ai kishte fyer dhe kërcënuar Markun.
Pak kohë më vonë, të dy janë përballur në rrugë dhe situata ka degraduar në dhunë fizike.
Në pamjet e publikuara shihet Marku duke goditur disa herë Kuçin dhe duke i kërkuar llogari për deklaratat e bëra në rrjetet sociale.
Jozefin Marku akuzohet për “Heqjen e paligjshme të lirisë”, ndërsa katër akuza të tjera ndaj tij janë ende në verifikim.
Kristian Nikolli, i cili sipas hetimeve dyshohet se drejtonte automjetin “Land Rover” të përdorur gjatë ngjarjes, akuzohet për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, bombave ose minave dhe të municionit”.
Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, policia sekuestroi një sasi municioni, ndërsa është sekuestruar edhe automjeti që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.