Rusia ka filluar të infiltrohet fuqishëm në politikën e saj antiperëndimore në rajon që nga viti 2016, kur dhe kishte tentativë për grusht shteti në Mal të Zi, tha presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic, transmeton Gazeta Metro.
Djukanovic, i cili ishte kundër nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, pretendon se kjo Kishë, gjithashtu edhe Kisha Ortodokse Ruse, janë një “mjet” në duart e presidentit rus Vladimir Putin.
“Siç e dini, ne jemi duke luftuar me një kontratë të tillë me Kishën serbe. Dhe fakti që ne po luftojmë për të nënshkruar një marrëveshje të tillë me ta, është përsëri një reflektim i marrëdhënieve globale për të cilat po flisja. Sepse, për fat të keq, Kisha Ortodokse Serbe edhe Kisha Ortodokse Ruse janë vetëm mjete apo instrumente në duart e politikës së Putinit”, tha ai.
Djukanovic, duke folur për situatën e sigurisë në Evropë, qëllimet dhe rezultatet e politikës së jashtme të Malit të Zi, marrëdhëniet me Izraelin, Palestinën dhe vendet e tjera të rajonit dhe përfshirjen personale politike, tha se Mali i Zi, përkundër kundërshtimit të Serbisë, e riktheu pavarësinë e saj të dikurshme.
“Ka punë të papërfunduara në rajon”
“Ne vendosëm të rivendosim pavarësinë e Malit të Zi. Serbia ishte ashpër kundër saj, jo vetëm në kohën e [Sllobodan] Millosheviqit, por edhe gjatë sundimit të [Vojisllav] Koshtunicës. Por ia dolëm, pa luftëra, pa destabilitet, gjë që nuk është e zakonshme në Ballkan. Në fakt, ky ishte i vetmi shembull i tillë. Ne gjithashtu kemi zgjedhur anëtarësimin në NATO. Dhe ne ia dolëm mbanë edhe në këtë. Dhe ndërkohë realizuam disa investime shumë të qëndrueshme. Sot presim të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe jemi para kandidatëve të tjerë”, tha Djukanovic, shkruan AJB.
Në rajon, thotë ai, ka ende disa punë të papërfunduara.
“Bosnja dhe Hercegovina është ende një vend jofunksional. Maqedonia e Veriut mbeti në kalim, fillimisht me Greqinë dhe tani me Bullgarinë. Dhe Serbia është ende në një situatë problematike për shkak të Kosovës. Kishim mungesë të vëmendjes së SHBA-së. Dhe kishim mungesë iniciative dhe vendosmërie nga ana evropiane. Në pjesën më të madhe, ata nuk ishin të gatshëm të merrnin një rol udhëheqës në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, tha ai.
“Pra, nëse nuk ka BE dhe SHBA, do të vijnë disa vende të treta. Para së gjithash, Rusia. Dhe siç thashë, Rusia filloi të infiltrojë fuqishëm politikën e saj antiperëndimore në rajon që nga viti 2016 dhe tentativa për grusht shteti në Mal të Zi”, përfundoi Djukanovic./gazetametro.net