Arben Gjuka, drejtor menaxhues i KEK-ut, ka mohuar kategorikisht se Korporata të cilës ai i prinë është ndotësi më i madh në këtë pjesë të Kosovës.
I ftuar në “Express intervistën” e ditës në KTV, Gjuka ka thënë se KEK-u e ka një përqindje shumë të vogël në raport me ndotësit tjerë. Ka folur me shifra për rënie të emetimit të grimcave në pjesë të ndryshme të Obiliqit e Prishtinës, duke thënë se ato nuk e kalojnë nivelin 5 për qind.
Në anën tjetër, ai ka thënë se KEK-u ka elektrofiltra të cilët gjatë periudhës së dimrit, pikërisht në këtë fazë kur në Prishtinë ndotja e ajrit është alarmante, punojnë në mënyrë më të efektshme se sa gjatë verës.
“Gjatë sezonit të dimrit këta elektrofiltra janë shumë më të efektshëm për shkak të temperaturave. Gjatë dimrit ndotja nga KEK-u është shumë më e vogël se sa gjatë verës”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.
Veç kësaj, ai ka thënë se duhet kujtuar edhe një fakt tjetër që KEK-u ndihmon direkt në përmirësimin e ajrit në Prishtinë, duke dhënë avullin për ngrohtoren e qytetit.
“Në këtë mënyrë drejtpërdrejt e ka stopuar djegien e mazutit e thëngjillit për ngrohje në një pjesë të madhe të qytetit”, ka thënë ai.
Gjuka ka komentuar edhe deklaratën e Ilir Morinës, kryeshef i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, që ka thënë se “gjatë gjithë vitit 2017 ka pas tejkalime të shkarkimeve 3 deri 10 fish më të larta se sa normat e lejuara. Jo KEK ‘s’është’ ndotës, jo po’t duket. KEK, ky dinosaur i harruar!”.
Drejtori menxhues i KEK-ut ka thënë se e çmon mendimin e gjithsecilit që sjell një vlerë të bazuar.
“Unë raportova në bazë të matjeve tona shkencore, të cilat nuk mund të kontestohen. KEK-u asnjëherë nuk e ka mohu, sepse ka në bazë të vetën transparencën dhe llogaridhënien. Por duhet ta dini se ku ka qenë KEK-u dikur, ku është sot dhe ku do të jetë. Ne kemi mbyllur depozitë ilegale të hirit, dhe në të njëjtën kohë e kemi në agjendën tonë pyllëzimin. Kemi mbjell 180 – 260 mijë fidane, të cilat edhe i ruajmë nga keqbërësit”, ka thënë Gjuka.
Ai ka thënë se Kosova A është nën masën e lejuar ligjore të shkarkimit të grimcave, në 50 miligramë, derisa ka pranuar se Kosova B, varësisht prej sezoneve shkon nga 150 deri në 300 miligramë.
“Duhet ta dimë se edhe Kosova A edhe Kosova B e kanë kaluar afatin e ekzistencës”, ka thënë Gjukaj.
Gjuka ka folur gjithashtu edhe rreth diskutimeve të fundit se gjatë natës KEK-u shkyç filtrat.
“Është e pakuptimtë, është një e pavërtetë e madhe e cila është ngrit. Kjo çështje është ngrit në kohën kur janë instaluar filtrat në Kosovën A, e cila arrin të mbuloj rreth 38 për qind të tregut të Kosovës me energji dhe garanton rrymë me çmim të përballueshëm për qytetarët e Kosovës. Kjo ka qenë kampanjë e pavërtetë për të dëmtuar Kosovën A. Është e pavërtetë që ndalen filtrat, sepse ata janë nën mbikëqyrje, e për t’i ndalë duhet të jepet një urdhëresë dhe duhet të shihet pse do duhej të ndodhte një gjë e tillë”, ka thënë Gjukaj.
Lidhur me rezolutën e Kuvendit të Kosovës që Kosovës B t’i vihen filtrat brenda vitit 2018, Gjuka ka lënë të kuptohet se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë.
“Ne kemi arritë një marrëveshje për bashkëfinancim nga Bashkimi Evropian, në kuadër të së cilës 40 milionë do të financohen nga BE-ja ndërsa pjesa tjetër nga buxheti i Kosovës. Sikur t’i kishim sot mjetet, duhen 6 deri në 8 muaj punë teknike që një gjë e tillë të ndodhë. Kjo nënkupton që Kosova B të dalë nga sistemi. Ministri e tha shumë qartë atë ditë në Kuvend se është më mirë që një gjë e tillë të ndodhë në mes të vitit 2019-20”, ka thënë Gjuka.
Gjuka ka folur edhe rreth premtimit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj që pagat e rreth 5 mijë punëtorëve të KEK0ut për nga 100 euro.
“Sapo vi nga mbledhja e Bordit Drejtues, dhe mund të them se ne në çdo mbledhje i shqyrtojmë kërkesat sindikale. Jemi dakord që të shikojmë mundësitë financiare që në një të ardhme të afërt ta zgjidhim këtë çështje, pa e rrezikuar buxhetin e Korporatës”, ka thënë Gjuka.