Kosova në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë përfaqësohet me 39 sportistë në 13 sporte të ndryshme, ndërsa ditën e sotme garuesit/et nga Kosova kanë luajtur vetëm në sportet si karate dhe boks, transmeton Gazeta Metro.
Fillimisht ishte karateistja, Albulena Gërvalla, e cila filloi mbarë misionin e saj drejt medaljes në Lojërat Mesdhetare, pasi mposhti në çerekfinale francezen, Assma Charif.
Gërvalla pastaj në gjysmëfinale në kategorinë e 55 kilogramëve pësoi humbje nga algjeriania, Abouriche Louiza, por në këtë duel garuesja kosovare pati edhe një lëndim.
Karateistja megjithatë humbi edhe në garën për medaljen e bronztë nga italiania, Veronica Brunori, me ç’rast edhe përfundoi në vendin e pestë në kategorinë e 55 kilogramëve të karatesë.
Për herë të parë debutoi në Lojërat Mesdhetare karateisti, Elhami Shabani, i cili pësoi humbjen në raundin e parë nga kampioni olimpik i Tokio 2020, italiani Luigi Busa, në kategorinë e 75 kilogramëve.
Pas karatesë ishte radha e boksit dhe boksieri, Shpëtim Bajoku, shënoi fitore në raundin e parë të garave, ku mundu me vendim unanim tunizianin, Abdesalem Sassi, në kategorinë e 63 kilogramëve.
Humbje në sportin e karatesë pësoi edhe karateistja, Adelina Rama, e cila u mposht në raundin e parë nga Anthi Stylianoi e Qipros, në kategorinë e 61 kilogramëve. Ndërsa, karate i vazhdon garat nesër dhe në program janë Fortesa Orana dhe Melos Gashi.
Patriot Behrami për shkak të një lëndimi që kishte pësuar në raundin e tretë sipas trajnerit të tij, nuk arriti të mposht në kategorinë e 69 kilogramëve në boks marokenin, Hamza El Barbari, ku trajneri, Besim Brahimi, e kishte dorëzuar meçin.
Ndërsa, fat nuk pati garuesja, Valëza Rama, në disiplinat për akrobaci dhe kapërcime të garave të gjimnastikës artistike sepse pësoi një lëndim që e detyroi të mos vazhdojë tutje garën.
Vlen të theksohet se edhe pse nuk ka të bëjë me Lojërat Mesdhetare në sportin e volejbollit, Kosova ka shënuar sukses të madh pasi që dyshja kosovare, Dhuratë Sylejmani dhe Valmira Ramadani, kanë fituar medaljen e bronztë për herë të parë në histori në Kampionatin Ballkanik të Beach Volley.
Ndërsa, Gazeta Metro gjatë ditës së sotme ka realizuar edhe dy prononcime, njëra është me volejbollisten, Valmira Ramadani dhe tjetra me karateistën, Albulena Gërvalla. /gazetametro.net