Loading…

Gjermania e ashpër me Kosovën, përmend Asociacionin e mosvizitën e liderëve kosovarë te serbët e Kosovës

  • 27/05/2022 | 19:55

Gjermania e ashpër me Kosovën, përmend Asociacionin e mosvizitën e liderëve kosovarë te serbët e Kosovës

Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, ka qenë i ashpër sot me liderët institucionalë për disa çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, kryesisht për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mosvizitën e Osmanit në veri, shkruan Gazeta Metro.


Joern Rohde duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ka thënë se vendi i tij s’e do një Republika Srpska të dytë.

Megjithatë thotë se ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit, derisa kërkon propozime konkrete nga Qeveria e Kosovës duke thënë se kur refuzon diçka duhet të sjellësh propozimin tënd në tavolinë.

“Ajo çfarë unë shoh se mungon, janë propozimet. Çfarë do të thotë në të vërtetë kjo. Po flitet për mite, për të cilat asnjeri nuk e thotë se çfarë nënkuptojnë dhe askush nuk ofron propozime konkrete në tavolinë. Dëgjoj nga qeveria që Kosova: Po, një asociacion si Rugova është në rregull, e kështu me radhë. Por mendoj se kur negocion, atëherë duhet të sjellësh propozime në tavolinë”, ka thënë ambasadori gjerman.

Ai insistoi se taktika më e mirë negociuese për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është që Kosova të reagojë me ofertë karshi kërkesës së Serbisë.

Më tej, ai ka folur edhe për urën e bllokuar mbi lumin Ibër që ndan veriun e Mitrovicës me atë të jugut dhe mosvizitën e presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti në këtë pjesë të vendit e te pakicat serbe.

Ai tha se ura mbi lumin Ibër është e bllokuar për shkaqe politike, teksa kritikoi presidenten Osmani që kjo urë të mos shfrytëzohet si pretekst për mosvizitë në veri, duke përmendur këtu faktin se serbë ka edhe në Graçanicë, por ajo nuk e ka bërë asnjë vizitë tek ta.

“Ka edhe shqiptarë që çdo ditë e kalojnë urën, shqiptarë të Kosovës. Ka edhe serbë jashtë Mitrovicës. Në Graçanicë. A ka qenë Presidentja atje? Pra, këtu nuk ka arsye. Atje nuk ka urë”, është shprehur Rohde në një intervistë ekskluzive dhënë për Klan Kosova.

“Kur shkoj në Mitrovicë, atje ka një urë që nuk është hapur, ndërsa 200 metra më tej urat janë të hapura. Pse nuk është e hapur kjo? Vetëm për shkaqe politike, jo për shkaqe tjera, sepse ajo është një simbol që shfrytëzohet nga disa politikanë për të thënë se situata nuk është normale”, u shpreh Rohde./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë