Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila ka mbajtur konferencën përmbyllëse për shtyp, ku ka treguar sfidat dhe të arriturat e Komunës që ajo udhëheq, shkruan Gazeta Metro.
Përmes llogarisë së saj në Facebook, është bërë e ditur se ajo ka veçuar të arriturat e përgjithshme të Komunës.
Ajo ka përmendur DEMOS, nga i cili ka përfituar 600 mijë euro, më pas zotimin e mjeteve për ndërtimin e ngrohtores, të cilën Komisioni Evropian e ka mbështetur me 12 milionë euro. Sipas të parës së Gjakovës, sukses tjetër është edhe impianti i ujërave të zeza.
Kusari gjithashtu ka përmendur edhe rregullimin e infrastrukturës në këtë komunë.
“Në kuadër të sukseseve me rëndësi është të potencohen edhe zhvillimet në buxhet dhe financa, me ç’rast kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka pohuar se viti 2016 është viti më i suksesshëm që nga paslufta në mbledhjen e të hyrave vetanake, ku janë inkasuar 1,925,162.73 euro, ose 29.38 përqind më shumë nga viti paraprak”, thuhet në deklaratë.
Ndër sfidat që Komuna e Gjakovës ka kaluar gjatë këtij viti, kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka përmendur edhe tërheqjen e njëanshme të mjeteve nga thesari për shkak të obligimeve të mbetura nga Komuna që nga viti 2007.
Ajo është shprehur e indinjuar edhe ndaj sistemit të drejtësisë, duke shprehur se ata që duhet të jenë të gjykuar në fakt po gjykojnë dhe se ne vazhdimisht kemi përballje edhe me akuza ndaj zyrtarëve të emëruar politik te cilat janë të pabaza./gazetametro.net