Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se nuk kanë hasur në asnjë rezistencë që i bën të kuptojnë se mund të rrezikohet procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ajo ka thënë se edhe nga përfaqësues të Francës i është thënë se e mbështesin Kosovën për anëtarësim në këshill.
Gërvalla është përgjigjur edhe rreth deklaratave të zyrtarëve serb se katër shtete do të tërheqin njohjen e Kosovës për çka ka thënë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar nga asnjë shtet.
Pasi e ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ministrja e Jashtme, ka thënë se kanë marrë mbështetje edhe me shkrim nga shumë shtete brenda këshillit.
Gërvalla ka thënë se ky është vetëm hapi i parë, ndërsa ka shtuar se mund të jetë një proces i gjatë.
“Nuk kemi hasur deri tani në asnjë rezistencë të besueshme që na bënë të kuptojmë që procesi mund të jetë i rrezikuar. Natyrisht që ne do të respektojnë të gjitha procedurat dhe do të jemi shumë të sinqertë dhe të përkushtuar dhe serioz gjatë këtij procesi dhe ne shpresojmë që Kosova t’i takojë atyre shteteve të cilëve iu është dashur një kohë më e shkurtër për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, ka thënë Gërvalla.
Ndërsa lidhur me deklaratën e ambasadorit të Francës në Beograd se nuk e përkrahin Kosovën në këtë drejtim, Gërvalla ka thënë se nuk e ka lexuar një të tillë por ka shtuar se nga përfaqësues të Francës e ka marrë mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Unë kam biseduar me përfaqësues të ndryshëm të Bashkimit Evropian, ndër ata edhe me përfaqësues të Francës dhe neve na është thënë që Franca e mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, ne po punojmë me secilin shtet veç e veç, nëse Franca ndërkohë mund të ketë ndonjë dilemë, ne jemi shumë të gatshëm të bisedojmë me të por ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar që Franca ka dilema rreth anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se përfshirja e Kosovës në KE, do të jetë kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.
Sipas saj, tani është koha për të marrë vendime që ajo i ka quajtur të duhura dhe për të shtrënguar radhët në mes të shteteve demokratike.