Loading…

Gati 25 vjet pas zbarkimit, NATO’ja shqyrton përforcime të përhershme në Kosovë

  • 03/12/2023 | 20:13

Gati 25 vjet pas zbarkimit, NATO’ja shqyrton përforcime të përhershme në Kosovë

Në vitin 1999 ka ndërhyrë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Për 78 ditë me radhë, NATO-ja ka bombarduar caqet e ushtrisë së atëhershme serbe. Pas tërheqjes së saj nga Kosova, në qershor të ’99-ës, NATO-ja ka zbarkuar me misionin e saj paqeruajtës KFOR, të përbërë prej më shumë se 50.000 ushtarësh.


“Ne do të krijojmë një prani ushtarake, e cila do të garantojë mjedis të sigurt për kthimin e të gjithë refugjatëve dhe për të gjithë ata që janë të pastrehë brenda vetë Kosovës… Ne do të merremi direkt dhe me vendosmëri me secilin që përpiqet të na pengojë në arritjen e kësaj”, ka thënë atëkohë komandanti i NATO-s për Kosovën, Michael Jackson.

Që atëherë, KFOR-i është zvogëluar në pak më shumë se 3.700 ushtarë vitin e kaluar. Sot numëron mbi 4.600. Trupat janë shtuar këtë vit, për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Aleanca ka dërguar qindra forca shtesë pas trazirave që ka shkaktuar instalimi i kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri – me ç’rast janë plagosur edhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it – si dhe pas incidentit në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

Ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë është cilësuar si më e rënda që nga koha kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe ka nxitur shqetësim ndërkombëtar për qëndrueshmërinë në vend. Kosova ka fajësuar aparatin shtetëror të Serbisë për sulmin, ndërsa Serbia serbët në Kosovë. Millan Radoiçiq që e ka marrë përgjegjësinë, vazhdon të jetë i lirë në Beograd.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar fillimisht në Prishtinë, gjatë një vizite më 20 nëntor, se NATO-ja do të shqyrtojë shtimin e përhershëm të forcave në Kosovë, për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Këtë javë, në margjina të një takimi të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg ka përsëritur se aleanca do të bëjë çdo gjë që nevojitet për ta ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe se për këtë arsye do të diskutojë për shtimin e përhershëm të pranisë ushtarake në rajon.

“Tani po shqyrtojmë nëse kjo rritje [e trupave] duhet të jetë më afatgjate, nëse ka nevojë për kapacitete të reja, por deri më tani kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, duke shtuar numrin e trupave tona”, ka thënë Stoltenberg.

Këtyre shqetësimeve u kanë bërë jehonë po këtë javë edhe Shtetet e Bashkuara. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, ka paralajmëruar si Kosovën, ashtu edhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës, do të nënkuptonte përballje me NATO-n.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se SHBA-ja nuk do rikthim të konflikteve në Ballkan.

“NATO-ja është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë ta destabilizojnë veriun e Kosovës. Ne kemi dislokuar trupa shtesë në KFOR. Po ashtu, kemi thelluar bashkëpunimin me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Blinken.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, diplomacia perëndimore është duke u bërë trysni Kosovës dhe Serbisë për ta përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Nga Prishtina kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Beogradi njohjen de facto të Kosovës.

Në këtë frymë e komenton edhe Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, paralajmërimin e NATO-s për shtim të përhershëm të forcave në Kosovë.

“Unë nuk mendoj se kjo ‘e përhershme’ nënkupton disa qindra vite. Ideja është të blihet kohë për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, drejt marrëveshjes që BE-ja ka vënë në tavolinë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Unë mendoj se NATO-ja do të qëndrojë për aq kohë sa i nevojitet. Ajo do ta ofrojë ndjenjën e sigurisë mes shqiptarëve dhe serbëve, se ajo do të ndihmojë në ruajtjen e paqes, derisa diplomatët bëjnë punën e vështirë”, thotë Kupchan për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Lexoni KËTU shkrimin e plotë/REL

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë