Loading…

Garë e nxehtë për të parin e Drenasit

  • 26/11/2016 | 10:05

Garë e nxehtë për të parin e Drenasit

Drenasi është pa kryetar, qe më tepër se një muaj. Nexhat Demaku që udhëhiqte me këtë komunë për dy mandate, e la detyrën, pasi drejtësia e gjeti fajtor në rastin “Drenica 2”.

Kjo do të thotë se komuna e cila territorialisht ndodhet në zemër të Kosovës, shkon në zgjedhje të parakohshme.

Ato u caktuan më 4 dhjetor, sipas një vendimit të presidentit të shtetit, Hashim Thaçi. Për këto votime janë caktuar pesë ditë fushatë e cila ende nuk ka filluar zyrtarisht.

Por, kandidatët nuk po rrinë duarkryq.

Ata kanë zgjedhur një mënyrë unike lobimi për të bërë drenicakët e kësaj komune për vete.

Fushata e tyre është nëpër oda.

Kështu po vepron edhe kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, i cili deri para pak ditëve ishte ambasadorë i Republikës së Kosovës në Shqipëri.

Në një intervistë për klankosova.tv ai ka thënë se shtyllat kryesore të planit të tij janë ato me të cilat qytetari është i lidhur ngushtë – arsimi, shëndetësia, infrastruktura, zhvillimi ekonomik (hapja e vendeve të reja të punës) kujdesi ndaj shtresave të pambrojtura dhe rinia, sporti e kultura.

Lladrovci po pretendon se për shkak të këtij plani, do të qeverisë me Drenasin.

“Gjithsesi do ta fitoj votën. Drenasi, Drenica, PDK dhe UÇK janë lidhje e pashkëputshme dhe kjo në zgjedhjet lokale do të rikonfirmohet”, ka thënë ai.

Por, ka një diçka që e bën me drojë ish-ambasadorin, i cili po këmbëngul se kthimi i tij do të dëshmojë se ia vlen të jetohet në këtë pjesë të Kosovës.

“Rivalin më të madh e kam mospjesëmarrjen e përqindjes së duhur të qytetarëve”, ka shtuar ai. “Andaj takimet konsultative me qytetarët janë zhvilluar që ata të dalin në votime, duhet të dinë edhe pse do të dalin, këtë jam përpjekur ta shpjegoj”.

Për habi, në fillim të garës Lladrovci nuk ishte i vetmi anëtar i PDK që mëtonte të bëhej kryetar i Drenasit. Rivalë të tij, nga brenda partisë, por si të pavarur, ishin Naim Bazaj e Rrahim Elshani.

Pas disa vizitave të lidershipit prishtinas të partisë në këtë qytezë, dy të përmendurit u tërhoqën.

Lladrovci ua di për nder.

“Të dy janë personalitete të njohura për mua dhe Drenasin dhe secili ka vlerat e veta. Mendoj se ata kanë dëshmuar se më i rëndësishëm është uniteti i votës së Drenasit se interesi i tyre personal. I falënderoj sinqerisht dhe uroj për kontributin e tyre që PDK të jetë unik dhe vota e drenicakëve të jetë si çdo herë, që nga çlirimi me shumicë absolute në PDK”, ka thënë ai.

Në të vërtetë, PDK ka fituar gjithmonë ka fituar në Drenas, duke mos i dhënë asnjë mundësi partive tjera.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse ka qenë e fortë në nivel nacional, nuk është këndellur kurrë prej pasluftës e këndej në këtë komunë.

Zgjedhjet e 4 dhjetorit po shihen si një mundësi e artë për të thyer akullin.

Isa Mustafa ka zgjedhur që këtë ta bëjë me Bedri Nikën.

Ky i fundit po pretendon se LDK, sidomos pas shpalljes së kandidaturës së tij, është ngjallur shumë dhe po rritet çdo ditë, pasi ka një ekip të cilin e quan brilant, i cili, sipas tij, e garanton fitoren.

Nika shton se pikat kryesore të planit qeverisës së tij janë depolitizimi dhe normalizimi i sektorit të arsimit, shëndetësisë, krijimi i klimës normale për investime në disa sektor me fokus të veçantë në agrobiznes.

“Thënë të drejtën nuk shoh rival serioz në raport me mua, LDK-në, programin dhe ofertën time qeverisëse, besoj tani këtë e dinë edhe kundërkandidatët e mi por edhe qytetarët e Drenasit”, ka shtuar ai.

Por, ec e pyete Elmi Thaçin për këtë, një kandidat tjetër për kryetar të kësaj komune!

“Partia Aleanca Kosova e Re dhe unë personalisht, do të jemi triumfues”, thotë ai për klankosova.tv. “Në këtë jam shumë i bindur pasi që jam kandidati më i përshtatshëm, më i mirë, më profesional, e më një të kaluar të ndershme timen dhe të familjes”.

Si afarist që është, Thaçi tha se punën e parë që do ta bëjë si kryetar është krijimi i një klime të mirëbesimit për investitorët e huaj.

“Do të investojmë në partneritet publiko-privat në ndërmarrje të mesme dhe të vogla,  ku do të punësohen një numër i caktuar i qytetarëve. Do t’ju ndajë tokë komunale kompanive serioze që dëshirojnë të investojnë në Drenas”, shtoi ai.

Kandidati i AKR ka bërë një premtim tjetër të madh, kur ka thënë se me të si kryetar, çdo familje e kësaj komune do të ketë të paktën një të punësuar.

Drenasi, sipas Thaçit njihet si një komunë që ka një tokë bujqësore të mirë dhe premton investime në blegtori, pemëtari, fruta të imëta si dhe në mbjelljen e kultivimin e patates dhe lakrave, pasi që Komuna e Drenasit është e përfshirë në hidrosistemin Ibër-Lepenc.

Postin e kryetarit të Drenasit e lakmon edhe Vehbi Berisha. Ky me partinë Fjala po pretendon ta instalojë praktikën e lidershipit transparent dhe llogaridhënës në këtë komunë.

Pas analizës që ky ia ka bërë situatës në Drenas, e ka gjetur ku janë nevojat e fokusimit të menjëhershëm.

“Administrata komunale, arsimi, shëndetësia, prokurimi, investimet e jashtme, urbanizmi si dhe gjeodezia e kadastri”, tha ai, duke përmendur kush janë fushat e intervenimit emergjent.

Edhe diaspora zë hapësirë të veçantë në planet e Berishës. Po ashtu ai u ka premtuar transport pa pagesë nxënësve që udhëtojnë më larg se një kilometër për në shkollë.

Pos kandidatëve partiakë, njerëzit e Drenasit mund ta zgjedhin, nëse duan, për kryetar të tyre edhe një të pavarur.

Xhavit Drenori i hyri garës si i tillë, pasi beson se ka përvojën e duhur, pas tri vjetëve të kaluara si këshilltar i kuvendit komunal.

Ai po pretendon se gjatë kësaj kohë ka arritur t’i njoh shumë më thellë problemet me të cilat përballen bashkëqytetarët e tij, e që sipas tij, janë keqpërdorimet, korrupsioni dhe krimi në qeverisjen e deritashme lokale.

“Me kërkesë të qytetarëve të cilët e donin dhe e kërkonin me çdo kusht këtë ndryshim, unë fillova konsultimet në terren, pas mbështetjes së madhe dhe të pakushtëzuar të tyre, me të vetmin qëllim, punën në shërbim të qytetarëve, i hyra garës për të parin e komunës së Drenasit”, tha ai.

Drenori e ka ndërmend që në rast se fiton, të nis urgjentisht rregullimin e fushës së arsimit.

“Ne do të bëjmë skanimin e arsimit në gjashtë mujorin e parë, duke hapur dosjet e të gjithë mësimdhënësve të komunës dhe pastrimin e arsimit nga mësimdhënësit e pakualifikuar pasi që  edhe në këtë vit ka pasur mësimdhënës të cilët janë pranuar vetëm me shkollë të mesme”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk do t’i lë anash as shëndetësinë, urbanizmin dhe kadastrin e pronën.

Por, Drenori ka një rival i cili nuk beson fare se është pikërisht asambleisti i deritashëm që mund të ndryshojë Drenasin.

Madje, Isa Xhemajlaj i Nismës është i bindur se as kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci nuk do ta bëjë një gjë të tillë, me gjithë që partia e Kadri Veselit tash, dhe e Hashim Thaçit më herët, ka dominuar këndejpari.

“Drenasi nuk është bastion i Partisë Demokratike të Kosovës. Ka qenë, por s’është më. Ai është bastion i qytetarëve dhe ata po duan që ta kenë një njeri që rri dhe bisedon me ta”, ka thënë ai në një intervistë për Klan Kosova.

Xhemajlaj beson se ndryshimi për Drenasin është vetë ai.

“Jam optimist për fitore sepse i takoj dhe bisedoj me të gjitha shtresat e qytetarëve të Drenasit. Tek ata e shoh frymën e ndryshimit”, ka thënë ai në një intervistë për Klan Kosova.

Ai është fort i bindur në fitore, saqë beson se atë e arrin qysh në raundin e parë.

“Besoj që do t’i fitoj zgjedhjet qysh në raundin e parë”, ka thënë Xhemajlaj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë